0991, ose Nëntëdhjeta së prapthi…

0
311

Nga Frrok Cupi

Kur George Orwell shkroi “Vitin 1984”, në fakt ishte viti 1948. Shkrimtari dhe eseisti i madh na mësoi  teknikën e ndryshimit të viteve sipas të vërtetës së thellë dhe jo asaj formale që shënojnë akrepat e orës.

Viti 1991 ka ardhur, kam frikë, në të njëjtën alegori dhe ironi që erdhi viti 1984 për Orwell. Ngjarjet e sotme mes krizës politike në Tiranë, na e dëshmojnë më së miri. BE erdhi këtu, bëri si bëri dhe u lidh me qeverinë. Qeveria ka makina, ka tanke, ka plazhe, ka drogë dhe para; ndërsa Opozita ka vetëm një gjë të vogël: Të Drejtën!

Viti 1990 është kthyer së prapthi; tani mund të quhet ‘viti 0991’, që i bie më pak se Mesjeta. Ose i bie vetëm 991 vjet pas lindjes së Krishtit. Ose i bie 917 vjet para lindjes dhe 994 vjet para vdekjes së diktatorit tonë, Hoxha. Por viti 1990- për shqiptarët shënon vitin më të ndritur, kur nisi epoka e Demokracisë, rënia e diktaturës komuniste dhe përqafimi i Europës Perëndimore që Shqipëria e kishte ëndërruar që në bark të nënës. Atëherë Shqipërisë iu hapën dritaret e Europës përmes Opozitës antikomuniste; Europa ishte ndihma dhe libri për Demokracinë. Ndërsa tani Europa (dmth., BE) nuk ka dritare për Demokracinë. Prej kohësh vëzhgues të politikës kanë konstatuar se ‘BE i ka lidhjet me qeveritë, nuk ka punë më me Demokracinë’.

Sot duket se jemi në inversin e vitit 1990, njësoj si Orëell në inversin e vitit 1948.

Në Tiranë është ngritur protesta e Dytë e luftëtarëve të Demokracisë kundër komunizmit. Tani mungojnë vetëm Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko; të gjithë të tjerët janë më këmbë. Shqipërisë nuk i ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe; por Europës i ka ndryshuar shumëgjë në këtë pikë. Në raportet tona me Europën, viti 1990 është kthyer së prapthi dhe është bërë 0991.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë shpallur një lëvizje demokratike për të rivendosur pluralizmin politik- një relikt e vitit 1990. Them ‘relikt’ sepse qeveritarët e tanishëm e kanë dërrmuar dhe e kanë fshehur pluralizmin politik pas kornizave të fotove të Envr Hoxhës.  Partia Demokratike dhe aleatët e saj që shpallën pluralizmin dhe gjunjëzimin e bishës komuniste, tani ndodhen në të njëjtat llogore- kundër bijve të burokratëve të Politbyrosë. Po kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, njësoj si atëherë. Po kush i jep?! Qeveria e tanishme post- komuniste është më e egër se vetë komunizmi. Komunizmi i tanishëm ka me vete edhe BE, edhe NATO, edhe drogë, edhe korrupsion. Prandaj është kthyer së prapthi viti 1990.

Viti 1990 tani është ‘0991’ sepse Europa Perëndimore është në të mbrapshtën e saj. Sot në Tiranë erdhën dy delegacione nga BE: Njëri i përkatësisë majtiste dhe tjetri djathtist. Të majtët do të merreshin vesh me të majtët dhe të djathtët me të djathtët. Njësoj si në Fermën e Kafshëve të Orëell, që i ndan njerëzit në “të informuar” dhe në të “pa informuar”, dhe prandaj ngriti ‘Ministrinë e të Vërtetës’. Ose si në Luftën e Dytë në Shqipëri, ku të djathtët merreshin me Inglisin ndërsa të majtët me Kominternin

Por sot BE ka një ndryshim thelbësor. Sot Bashkimi Europian zbarkon në Tiranë për të manipuluar opozitën dhe për të flirtuar me qeverinë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkup, edhe në Beograd, edhe në Budapest, edhe në Tbilis, edhe në Varshavë… Në vitin 1990, Perëndimi ishte me opozitën; ndërsa tani është me qeverinë. Ka rënë Demokracia, ka rënë Aristoteli dhe John Lock…, kanë rënë në këmbë të disa burokratëve të BE. Këta janë zero, por bëjnë si Aristotel. Këta në fakt mbledhin favore dhe para në vendet e varfra të Lindjes, siç është edhe Shqipëria. Këtu kanë çfarë marrin, janë të paktën 2 miliardë euro të drogës që silurojnë në ajër të lira. Sot të dërguarit e BE mbajtën anën e qeverisë, jo të zgjedhjeve të lira. Nuk është më viti 1990.

Por në vitin 1990, BE ishte ndërtuar për të mbështetur opozitën kudo. Tani BE mbështet qeveritë kudo.  Në Tiranë sot nuk ka asnjë marrëveshje mes krizës politike. Opozita lufton për demokraci, ndërsa të deleguarit e BE luftojnë për “grada” dhe të mbrojnë kështjellën e elitave arrogante në  Bruksel. Ka një ndryshim shumë të madh. Po të kishte ndodhur kështu në vitin 1990, nuk do të kishte lindur kurrë Demokracia as këtu dhe as në vendet e Lindjes Komuniste. Po të ishte BE me autokracinë, ne do të ishim në komunizëm.

Tani BE-në e kemi në favor të qeverive autokratike. Për shembull, po të bëhen paralele, në vitin 1990 BE do të ishte në favor të Enver Hoxhës.., është e njëjta. Jemi kthyer së prapthi.

Demokracia po vdes në këmbët e BE, por edhe BE po vdes në këmbët e Demokracisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here