11 gra të vrara në Shqipëri gjatë vitit 2023

0
64

Me vrasjen e Luljeta Prezës në Durrës, numri i viktimave në 22 ngjarje kriminale të vitit 2023 është rritur në 27.

Fakti alarmant është se 11 prej këtyre viktimave janë gra, të cilat janë vrarë nga bashkëshortët, kunatët, madje edhe fëmijët e tyre.

Ngjarja e parë kriminale për vitin 2023 do të nisë me vrasjen e një gruaje. Xhevit Sinani ekzekuton me sëpatë gruan e tij Zeqine Sinani dhe vëllain Shaqir Sinani në Gramsh më 27 janar për motive të dobëta.

Ngjarja më e rëndë ishte sigurisht ajo e 1 marsit në kryeqytet, ku Dan Hutra vrau Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, përkatësisht motrën dhe kunatën e gruas së tij, si dhe Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin ai kishte probleme në burg.

Krimi do të godiste sërish një grua më 12 mars, ku në fakt atentati mafioz u bë ndaj një personi me precedentë penalë dhe familjarëve të tij, por viktimë mbeti Mimoza Paja, e cila punonte si kamariere në lokalin objektiv të vrasësve. në zonën e Don Boskos.

Në orët e para të mëngjesit të 8 prillit, zona e Shkozës do të ishte e trazuar. Ronald Sinani ka hyrë në dhomën e kunatës së tij Migena Sinani dhe e ka qëlluar me pistoletë në kokë teksa ajo ishte duke fjetur. Pa kaluar as disa sekonda, autori vetëvritet me armën e krimit, duke lënë të tronditur fëmijët e viktimës dhe prindërit e tij të moshuar, dëshmitarë të ngjarjes.

Urrejtja e burrave për kunatat e tyre do të zhvendosej në Elbasan, ku më 17 maj u vra Alma Qevani nga Tefik Tashi, një person që e kalonte pjesën më të madhe të kohës i dehur.

Akoma më tronditëse ishte ngjarja e 3 qershorit në Përmet ku Albi Muhollari mbyti nënën e tij Zeniate Muhollari. Ai ishte kthyer së fundi nga Amerika dhe dyshohej se vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Më 1 korrik, Marjola Myrtollari do të dorëzohej në luftën për jetën pas gati 1 muaji në koma, pasi u qëllua me thikë nga bashkëshorti i saj, Aleko Murtollari, pas një konflikti në banesën e tyre në Korçë.

Korriku do të numëronte një tjetër viktimë femër. Më 29 korrik – Luiza Mullalli vritet në Maliq nga bashkëshorti i saj Gjergj Mullalli, i cili e hodhi në një gropë septike pasi e kishte vrarë. Pas disa orësh arratisje, autori kryen vetëvrasje.

Viktima e 11-të femër për vitin 2023 është Luljeta Preza. E reja u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, ku u qëllua me thikë nga 2 autorët Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari pas një konflikti për motive të dobëta teksa konsumonin drogë së bashku.

Shkruaj nje koment