207 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE

Zbulohen shifrat të frikshme të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të zyrës Europiane të Azilantëve në vitet e fundit numërohen jo pak, por 207 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për azil dhe rekordin e mbajnë vitet 2016-2020. Ndërkohë ajo që bie në sy është numri i madh i aplikantëve minorenë.

Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në Bashkimin Europian por edhe shteteve të tjera gjatë viteve të fundit kanë qenë shumë të larta në raport me popullsinë e vendit.

Sipas shifrave të raportit të fundit vjetor të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), nga 2010-a  deri në 2020-n, në total ka pasur 207 mijë e 200  aplikime nga shtetasit shqiptarë për azil në Bashkimin Europian dhe në  Zvicrën ku nuk përfshihen të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar.

Image

Numri më i lartë i aplikimeve për azil ishte në 2015-n, me gati 67 mijë persona, duke u përgjysmuar një vit më pas dhe duke u luhatur në nivelet e 20-24 mijë persona në 2017-2019.

Në 2020-n, aplikimet u reduktuan ndjeshëm, duke zbritur në rreth 7 mijë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, që detyroi mbylljen e kufijve. Të dhënat e zyrës Europiane të Azilantëve i ndajnë aplikimet dhe në minorenë dhe të rritur.

Bie në sy numri i lartë i aplikimeve nga minorenët çdo vit, që është mesatarisht një e treta e totalit të aplikimeve dhe 33% për gjithë periudhën. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit për të njëjtën periudhë, Shqipëria mban rekord për aplikimet në numër total. 

E dyta është Kosova, me 200 mijë aplikime për azil për periudhën 2010-2020. Shetasit e Kosovës kishin nivele të larta në 2013-2015 dhe më pas u shënua një rënie e ndjeshme.

Image

Serbia kishte 177 mijë aplikime në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut 90 mijë, Bosnja 52 mijë, Mali i Zi 12.6 mijë. Për të gjithë rajonin, periudha 2014-2015 pa një rritje të ndjeshme të aplkimeve për azil në BE, duke shënuar nivelet më të larta të dekadës. Në raport me popullsinë aktuale, aplikimet më të larta për azil për dekadën i ka Kosova, për shkak të kërkesave të larta deri në 2015-n.

 Për periudhën 2016-2020, rekordin e mban Shqipëria. Në 4 vitet e fundit kërkesat për azil të shqiptarëve ishin sa 3.7% e popullsisë aktuale, kundrejt 1.65% në Kosovë, 1.3% në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 0.5% në Serbi, Bosnjë e Mal të Zi, sipas të dhënave të EASO, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë.  Për shkak se vendet e rajonit konsiderohen të sigurta, pjesa dërrmuese e aplikimeve për azil në vite janë refuzuar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment