21 marsi , Dita Botërore e Sindromës Down/ 700 persona vuajnë nga kjo sindromë në Shqipëri

21 Marsi është Dita Botërore e Sindromës Down, e vëzhguar si e tillë nga Kombet e Bashkuara që prej vitit 2012.

Sipas statistikave të mbledhura nga Shërbimi Social Shtetëror në Shqipëri jetojnë 700 persona.

Sipas një studimi të UNDP në Shqipëri, gjatë vitit 2020, në 18 bashki të vendit vetëm 1901 persona me aftësi të kufizuara kanë pasur akses në shërbime publike. Nisur nga kjo e dhënë si referencë, duke bërë llogaritë për 61 bashki, mund të hamendësohet se jo më shumë se 6500 PAK kanë akses në shërbime publike në Shqipëri, pra me pak se 1% e PAK (73.000 persona). Ndërkohë po sipas të njëjtit studim të UNDP, rreth 42% e shërbimeve shoqërore në Shqipëri ofrohen nga operatorë jo-publikë (siç janë organizatat e ngritura nga vetë PAK apo prindërit e tyre).

Si çdo vend i botës dhe Shqipëria po vuan efektet e pandemisë. Por ndryshe nga shumë shtete të tjera që specifikisht personat me sindromën Down (shkencërisht të konsideruar si grup me risk të lartë), i kanë futur në grupet prioritare (1 ose 2) për vaksinim, plani i vaksinimit në Shqipëri nuk i përmend fare as personat me sindromën Down, dhe as PAK si target grup. Ky plan po ashtu nuk ka përfshirë as profesionistët që punojnë si ofrues shërbimesh të PAK.

Qeveria shqiptare në 2020, për të lehtësuar vështirësitë e karantinës dhe të pandemisë, mbështeti me pagesa “cash” si dhe me pako ushqimore familjet në skemën e ndihmës ekonomike, por deri më sot nuk ka mbështetur në asnjë formë PAK.

Organizatat më aktive në nivel kombëtar dhe vendor, që punojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, kanë identifikuar dhe duan t’u sjellin në vëmendje të të gjitha partive politike nevojën për ndërhyrje në platformat e tyre elektorale dhe programet e qeverisë së ardhëshme, në disa nga fushat kryesore, të domosdoshme për të garantuar, barazinë, mosdiskriminimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri:

  1. Arsim cilësor gjithpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara;
  2. Shërbime shoqërore dhe shëndetësore cilësore dhe të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, përfshirë në situatën e krijuar nga covid-19;
  3. Aksesueshmëri në mjedise, transport, informim dhe komunikim për personat me aftësi të kufizuara të të gjithë grupeve, përfshirë personat me aftësi të kufizuara fizike, shqisore, personat me probleme në shikim, në të folur dhe dëgjim dhe aftësi të kufizuara intelektuale;
  4. Aftësim dhe riaftësim/rehabilitim profesional, punësim e shërbime mbështetëse për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
  5. Pjesëmarrje në jetën politike dhe publike, përmes garantimit të pjesëmarrjes në votime, por edhe në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet etj.

Në ditën botërore të sindromës down ka dhënë mesazhin e tij edhe ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca , i cili në fjalën e tij ka kërkuar më shumë bashkëpunim dhe vëmendje nga ana e qeverisë për këtë kategori.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment