
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim R. M., 58 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 22.09.2022, në biznesin e tij, në lagjen “Kodra e Shtufit”, Gjirokastër, u konstatua ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike.
Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi R. B., 53 vjeç, banues në fshatin Zenelaj, Gjirokastër, pasi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit Th. Ll., bagëti të imëta, në fshatin Odrie, Gjirokastër.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, në ngarkim të shtetasit S. L., 21 vjeç, banues në fshatin Erind, Gjirokastër.
Në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, shtetasi S. L. u kap duke drejtuar pa dokumentacionin përkatës, automjetin tip “Volkswagen”, në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë sportive, 1 stemë policie dhe 2 maska.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.