30 qershori më qesharak i tranzicionit

0
171

Nga Marlin Muca

Lenini thoshte se revolucioni socialist lind në vengjillën e luftës imperialiste. Duket se ne vigjiljen e nje revolucioni socialist, po plazmohen ato momente qesharake që vetëm krizat ballkanase dhe një vend grotesk si Shqipëria janë të afta t`i prodhojnë për jetën e tyre politike. Një moment i tillë është dhe 30 qershori. Në 30 qershor mund të mos ketë garë politike, por ajo cfarë do të ngjasë do të jetë një përballje epike e dy Shqipërive siameze me njëra tjetrën. Këto Shqipëri kanë më se 30 vite që bashkëjetojnë parazitarisht duke u ushqyer me gjakun e djersën e shqiptarëve që punojnë më kot për familjen dhe veten e tyre.
Njëra Shqipëri është ajo e para viteve 90 të që përfaqësohet më së shumti me njeriun e ri të komunizmit. Shqipëria e kampit socialist nuk do t`ia dijë për realitetin objektiv dhe as për standartet dhe parimet universale që vlejnë për pjesën më të madhe të globit. Shqipëria e vjetër shkon me një kokëshkretësi të habitshme drejt vendimeve më ekstreme që vetëm një skizoid i rënduar mund t`i marrë. Ajo nuk ka vlera dhe as moral duke punuar kështu për atë që e shalon më mirë e më bukur. Njeriu i ri i Shqipërisë së vjetër është qënia më legene dhe e lemerishme që mund të ekzistojë. Ai vishet keq, ha keq, jeton keq e vetëm e vetëm për t`i shërbyer një Shqipërie të tmerrshme si Tenardieja e Hygoit. Kjo krijesë e pështirë e laboratorëve të filozofisë njerëzore nuk shqitet lehtë dhe ushqehet me terrin e arrogancës dhe injorancës. Armikja e saj kryesore është dija dhe përunjësia së cilave ajo I trembet si vampiri dritës. Feja e saj është partia, Zoti udheheqësi dhe gjuha amtare demagogjia. Vetëm Zoti që ai e urren dhe e mohon kaq shumë mund ta shërojë këtë pjellë të keqe së gjinisë njerëzore.
Shqipëria e re është një atdhe i ri i qepur keqazi me tiparet e shëmbëlltyrës së tij të vjetër. Ky atdhe i ri rreket t`i mësojë banorëve të saj se ka dicka që shkon përtej cdo intepretimi njerëzor dhe ai është realiteti. Ideologët e rritur në Shqipërinë e vjetër të cilëve ju besua detyra të inxhinieronin Shqipërinë e re u rrekën për t`i bërë njerëzit të besojnë se ka disa vlera universale të cilat duhen medoemos të respektohen nëse pretendojmë t`i bashkohemi institucionit më të rëndësishëm të Qytetërimit Perëndimor sic është Bashkimi Europian. Këta baballarë me mëkate deshën të na mësonin demokracinë, shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, të drejtat dhe liritë e njeriut dhe sigurisht të shumëvlershmen ndarje të pushteteve.
30 vite më vonë, puna e atyre që morën përsipër këtë mision historik po i nështrohet nje provimi kapricoz dhe të ndërlikuar. Shqiptarët e rinj ndihen konfuzë dhe nuk iu binden baballarëve të Shqipërisë së Re që vijnin nga ajo, Shqipëria tjetër. Ata janë një shoqëri në adoleshencë që teksa rreket të zbulojë identitetin e saj, përballet me zhvillime të vrrullshme brenda dhe jashtë vetes. Këta pionierë nuk dinë kujt i besojnë, kanë pak njohuri mbi të shkuarën dhe fare pak vizion për të ardhmen. Shqiptarët e rinj janë si ato fëmijët e braktisur herët nga familja, që kanë humbur kombin dhe fenë e te parëve, por që të paktën mbajnë mend grimca të gjuhës së cilës i kanë humbur sintaksën e morfologjinë. Sot ata nuk besojnë me tek një njeri apo parti e vetme. Sot ata iu besojnë shumë njerëzve dhe partive që jo për cudi kanë të njëjtën retorikë me Partinë e Shqipërisë së Shkuar. Sot ata luftojnë për të ardhmen e tyre duke përdorur eksperiencën më të keqe të së shkuarës. Vetëm Zoti e di si mund të shpëtojnë nga kjo mjegullë mbytëse.
Këto dy Shqiperi, këta dy njerëz përplasen në 30 qershor. Shqiptarët e vjetër e të rinj kanë më se 70 vite që shfrytëzohen pa kriter nga një Sillë dhe Karibdë që premtojnë paqen dhe sjellin luftën. Që mëtojnë barazinë por gërmojnë hendeqe. Një Sillë dhe Karibdë që nginjen me idealizmin e të parëve që luftojnë për to. Kurrë më parë këto dy Shqipëri nuk janë përballur kaq hapur sa këtë periudhë emocionale politike. Kokëshkretësia e të parëve ka më shumë eksperiencë se dyzimi i të dytëve. Turravrapi drejt dickaje të jetuar të së parës është një rrugë e re dhe e panjohur për të dytën. 30 qershori është qesharak sepse tregon se edhe pas 28 viteve pluralizëm, lirie tregu, demokracie dhe pranimi të lirive dhe të drejtave, ka përsëri një palë që nuk e pranon lirinë e së resë dhe një pale tjetër të pamësuar me burgun e së vjetres dhe të zhgenjyer me rrugën e vështirë dhe plot pengesa të së resë. 30 qershori është momenti i takimit me historinë të dy Shqipërive prej kohësh në luftë të pashpallur me njëra tjetren. Fitorja e Shqipërisë mbi të vjetrën, ngadhënjimi i njeriut “sans famille“ të së resë mbi njeriun e ri të komunizmit, do të thotë kalimi i një pengese të madhe për ata që e nisën këtë udhë 28 vite më parë. Fitorja e Shqipërisë së vjetër është përmbushje e profecisë se shqiptarët janë më të aftë ndërtojnë burgje për veten sesa atdhe për to dhe fëmijët e tyre. Ngadhënjimi i së vjetrës mbi të renë është aq e panatyrshme sa cështë dhe jeta e Benxhamin Baton që lindi plak dhe i rrudhur për të vdekur si foshnjë me pamjen që premtonte një jetë të gjatë e të lumtur.
30 qershori është countdowni biologjik i shoqërisë shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here