35 vite nga ekzekutimi i poetit disident Havzi Nela

0
193

35 vite më parë në qendër të Kukësit u ekzekutua me varje, poeti Havzi Nela duke shënjuar edhe veprën e fundit kriminale të sistemit komunist në rënie.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi sot poetin e vrarë nga diktatura komuniste, Havzi Nela.

Basha shkroi se duke e vrarë për të bërë shembull, regjimi komunist vetëm “e përjetësoi guximin, atdhedashurinë dhe poezinë e Havzi Nelës, martirin e lirisë”.

35 vjet më parë regjimi gjakatar vari në litar në mes të Kukësit Havzi Nelën, poetin që i këndoi lirisë. Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij kryelartë, që sfidoi dhe ngriti zërin kundër çdo krimi të saj, ndaj regjimi vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi guximin, atdhedashurinë dhe poezinë e Havzi Nelës, martirin e lirisë.

Në këtë 35 vjetor përulemi dhe nderojmë poetin martir që me sakrificën e tij frymëzon në qëndresën ndaj të keqes dhe padrejtësisë, dhe me mesazhet e tij të pavdekshme ndriçon rrugëtimin e pandalshëm drejt vlerave më të larta njerëzore, për liri, për demokraci, për Zot, Atdhe dhe familje.

Lavdi përjetë Havzi Nelës!

Havzi Nela njihet si prej poetëve kundërshtarë të regjimit komunist, i cili që prej vitit 1967 u burgos dhe internua derisa në vitin 1988 u var në mes të Kukësit, me vendim të Ramiz Alisë.

Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës së 10 gushtit, u varros vertikalisht në vrimën e krijuar nga heqja e një shtylle.

Vetëm pas 30 vitesh, bashkia e Kukësit, në vitin 2018, vendosi bustin e tij dhe rindërtoi shtëpinë muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban gjimnazi i qytetit.

Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës.

Shkruaj nje koment