Kufiri detar me Greqinë, presidenti Meta, kërkon informacion nga kryeministri Rama

Presidenti Ilir Meta, nëpërmjet një shkrese dërguar kryeministrit Edi Rama, kërkon informacion zyrtar mbi veprimet e qeverisë, në lidhje me çështjen e kufirit detar me Greqinë. Zoti Meta kërkon të informohet mbi bisedat që ka zhvilluar kryeministri me autoritetet greke, pas deklaratës së kryeministrit Micotakis, se “Athina do të zgjerohet me 12 milje në detin Jon”. Letra i është dërguar edhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Pak ditë më parë në parlamnent grek, gjatë seancës së ratifikimit tri marrëveshjeve detare mes Greqisë me Italinë dhe Egjiptin, media kanë raportuar për një deklaratë të kryeministrit të Greqisë zotit Micotakis, sipas të cilit, ai u ka komunikuar qëndrimin e qeverisë greke, lidhur me vendimin për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje detare. Duke pasur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë, dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj informacion të detajuar mbi;

Komunikimin që keni zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe ose me zyrtarë të lartë të Greqisë për këtë çështje;

Qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë edhe ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij;

Veprime që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej këtij akti të njëanshëm të Greqisë” shkruan Meta.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment