Me maska e protokoll të veçantë sigurie kundër Covid, nis sot viti i ri shkollor 2020-2021

Kjo e hënë shënon dhe nisjen e vitit të ri shkollor 2020-2021. Nisja e këtij viti shkollor është ndryshe nga vitet e tjera për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe në çdo shkollë do të ndiqet një protokoll i veçantë sigurie për të parandaluar përhapjen e Covid.
Rreth 480 mijë nxënës dhe 30 mijë mësues në të gjithë vendin nisin sot vitin më të vështirë shkollor për shkak të Covid-19.
Për të ruajtur distancën mes njëri tjetrit në 480 shkolla mësimi do të zhvillohet me dy turne ndërsa në 180 shkolla me 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska.
Në disa prej institucioneve arsimore janë konstatuar arsimtarë më koronavirus, por kjo sipas Ministrisë së Arsimit kjo nuk do të ndikojë në hapjen e shkollave.
Rreth 1 mijë mësues janë në dispozicion për të bërë zëvendësimet aty ku ka nevojë.

Ndërkohë një ditë më parë ministrja e Arsimit, Besa Shahini rikujtoi rëndësinë e masave anti-COVID. Shahini theksoi se nxënësit i pret një normalitet i ri. Që të ruhet shëndeti i të gjithëve e të sigurohet proces i mbarë shkollor, ministrja nënvizoi se duhet mbajtur maska, si dhe të respektohen distanca e të tjera rregulla.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment