Nostalgji/ Lagjia e vjetër e Gjoke në Lazarat dhe figurat e shquara që dolën prej saj

0
468

Gjashtë kilometra nga qendra e Gjirokastrës ndodhet fshati Lazarat. Një vend i cili ka spikatur gjithmonë për njerëz të mirë dhe bujarë . Por ajo që shumë pak njerëzit mund të dinë është fakti se prej këtij fshati kanë dalë emra të shquar në shumë fusha si politikë, art e kulturë apo mjekësi.
Në pjesën e sipërme të fshatit ndodhet lagjia e vjetër e Gjoke . Dikur kjo ka qenë një nga lagjet më të populluara , ndërsa me kalimin e viteve banorët u larguan prej saj . Vala e emigrimit që preku gjithë vendin do të prekte edhe banorët e fshatit e konkretisht të kësaj zone . Disa lanë shtëpitë dhe u larguan jashtë vendit ndërsa të tjerë u zhvendosën në Kordhocë apo më në qendër të fshatit duke krijuar lagje të reja.
Përpara 20 vjetësh në këtë lagje kishte rreth 300 banorë, tashmë numri i banorëve është reduktuar ndjeshëm . Lagjia e Gjoke sot ka rreth 100 shtëpi por shumica janë të pabanueshme duke e lënë këtë vend bosh. Ndryshe nga mëparë , kjo zonë e fshatit ishte mjaft e populluar dhe aktive , aty gjallërohej jeta ndërsa zërat e fëmijve pushtonin cep më cep vendin . Banorët merreshin më së shumti me bujqësi dhe blegtori kjo për shkak dhe të afërsisë me malin.
Bimët medicinale apo mbarështimi i dhenve kanë qenë kryesoret për sigurimin e të ardhurave për banorët . Në lagjen e Gjoke mbizotëronte përherë midis banorëve një marrëdhënie e veçantë , një simbiozë nga ku të gjithë jepnin e merrnin nga njëri-tjetri si një familje e madhe . Kjo pasi shumica e banorëve kanë edhe lidhje gjaku . Kjo traditë e thënë ndryshe e “gjitonisë së mirë” është ruajtur edhe sot nga ata pak banorë që popullojnë lagjen.
Po në këtë zonë ndodhej një nga kullat më të larta , 700 vjeçare . E njohur si kulla e Cane Bocit. Me mure rreth 5 metra të gjerë dhe frengjitë enkas për luftë . Roli i kullës ishte të vrojtonin armikun por njëherazi edhe për tu mbrojtur prej tij . Në Lazarat ndërtimi i tyre ka qenë mjaft i përhapur por sot një pamje e tillë nuk është më.
Kulla e Cane Bocit shërbeu edhe si shkollë shqipe për disa vite . Pas funksionit si shkollë , ajo u kthye në funksionin e një banese të zakonshme , në të cilën jetuan një çift . Ata e poseduan derisa ndërruan jetë , tashmë kjo kullë nuk ekziston më pasi u prish nga i zoti i tokës vite mëpas duke u kthyer në një ullishte.
Kulla ka qenë një vend i dashur për fëmijët e lagjes Gjoke, të cilët e kujtojnë me nostalgji. Sikurse kujtojnë lemin e kide apo përroin Gjoke . Dy nga vendet më kuptimplota për banorët e lagjes por edhe për ata persona që sot nuk jetojnë më në fshat. Në lemin e kide mblidheshin kryesisht fëmijët e fshatit ku dhe luanin . Por gjithashtu dhe burrat e fshatit kur kishte ndonjë problem, aty kuvendonin …
Nga kjo lagje kanë dalë figura të shumtë atdhetarësh e intelektualësh të tillë si:
Muhedin Krishti ishte komandant i batalionit të dytë i cili ra dëshmor gjatë luftës pasi u vra në Elbasan nga forcat gjermane . Çerçiz Rabi ishte një tjetër luftëtar i cili pati po të njëjtin fat duke rënë dëshmor për atdheun.

Gjithashtu Omar Cela dhe Jonuz Boci u pushkatuan me urdhër të partisë komuniste pas akuzave se të dy punonin kundra kësaj të fundit.
Shumëkush mund të kujtojnë edhe Haki Gabën i cili u arratis së bashku me të vëllanë në Amerikë , ku kreu aty edhe ushtrinë , i cili tregoi aftësi të jashtëzakonshme duke u vendosur edhe në radhët e CIAS .
Nga kjo lagje ka dalë edhe intelektuali Hysni Pollo , kryetari i Ballit Kombëtar .
Edhe djali i tij Fitim Pollo , pas viteve “90 mori detyrën si shef komisariati në Delvinë.
Ndonëse fshati ishte kundra regjimit, sistemi komunist u jepte arsim të lartë fëmijëve , prindërit e të cilëve ishin anëtarë të partisë . Të tjerët zhvillonin vetëm 8-vjecaren ndonëse ishin nxënës ekselentë. E megjithatë me sakrifica të shumta disa prej tyre ja arritën të arsimoheshin dhe të kontribuonin më vonë për fshatin duke iu bërë krahë.
Nga kjo lagje e Lazaratit kanë dalë dhe një brez profesorësh të nderuar të tillë si Beqo Mamua , i cili zotëronte disa gjuhë të huaja si ajo kinezce dhe gjatë viteve të komunizmit punoi si profesor në Kinë .
Gjithashtu Sali Rabi një tjetër mësues i njohur apo Muharrem Pollo. Mësues me emër ishte dhe Sherif Krishti që me punën e tij të pandalshme përgatiti breza të tërë. Të nderuara për kontributin e tyre në arsim vlen të përmenden dhe vajzat e kësaj lagjeje mësueset Hava Brahimi dhe Anife Meçi.
Po me emër në fushën e mjekësisë kanë dalë edhe dy djem të kësaj lagjeje si doktorët e njohur Islam Buci , studenti shembullor i cili mbaroi fakultetin e mjekësisë për kardiologji. Buci vazhdon me pasion punën e tij si doktor në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Po me këtë rëndësi është dhe endokrinologu Hodo Çela .
Si një vend ku traditat ruhen , banorët një rëndësi të madhe i kanë kushtuar pjesës kulturore , sikurse përfshihet dhe isopolifonia.
Emra të njohur të polifonisë si Bajo Skënduli, Rakip Difo e Metat Pollo të cilët merrnin pjesë në festivale të ndryshem në vitet ’70 duke përfaqësuar Lazaratin.
Nën hapat e tyre një tjetër brez e trashëgoi polifoninë si Xhelil Shkurti, Nesim Rabi , Gëzim Proko po nga kjo lagje . së bashku merrnin pjesë me grupin e Lazaratit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Lagjia e Gjoke vazhdon të qëndroj stoike edhe sot ndonëse e heshtur dhe në pritje të bijve të saj , ajo ka gjurmë të një të shkuare të artë. Pavarësisht pluhurit të harresës ajo mirpret këdo për ti dëshmuar edhe njëherë lavdinë e dikurshme ndërsa bijtë që dolën prej gjirit të saj ja mbajnë kokën lartë . Shumë mund të flasin për Lazaratin në mënyrë sipërfaqësore por të paktë janë ata të cilët dinë themelet e këtij fshati , rrënjët që dëshmojnë një realitet ndryshe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here