Dritat e ndezura nuk kanë rëndësi atëherë kur shpirtrat janë të fikur

0
251


Dhjetori është muaji i festave. Por jo për të gjithë është i tillë. Këtë vit bota dhe vendi ynë po kalojnë ditë të vështira kjo për shkak të pandemisë Covid-19. Të dyzuar për atë çka do vi vitin e ardhshëm njerëzit mundohen të mbajnë gjallë shpirtin e festave por siç duket të vetmit që e shfaqin dhe e ndjejnë janë zemrat e pastra të fëmijëve.
Tradita e festave me kalimin e viteve ka ardhur duke u zbehur e për këtë kanë ndikuar shumë faktorë. Në vazhdën e dekorimeve të qyteteve edhe Gjirokastra u stolis . Në dallim nga vitet e shkuara , pema u ngrit pa shumë zhurmë , me një urim formal të kryebashkiakut , dhe një interpretim të shkurtër të fëmijëve të përhershëm që përzgjidhen për të tilla aktivitete.
Kriza ekonomike ndihet edhe më shumë në Gjirokastër ku gjatë periudhës së karantinës u shtua ndjeshëm numri i familjeve që kërkonin ndihmë ekonomike.
Kufizimet, mbyllja e kufijve, ora policore e cila vazhdon të jetë në fuqi ndikoi në çdo familje. Bizneset dita ditës po mbyllen , mbi 100 subjekte janë mbyllur gjatë kësaj periudhe. Ata që mbetën, shumë prej tyre reduktuan stafin e punonjësve duke vazhduar zinxhiri i papunësisë dhe varfërimit të mëtejshëm. Të rinjtë që shpresonin të largoheshin drejt Evropës u detyruan të vazhdojnë të qëndrojnë në qytet pasi kufiri u mbyll.
Aktiviteti i tyre në vend është i kufizuar, duke u endur rrugëve pa punë dhe pa shpresë.
Po kaq të pashpresë janë dhe operatorët turistikë. Gjirokastra si një qytet që ka potenciale turistike shpresonte këtë vit të arrinte një zhvillim në këtë drejtim .Por Covid-19 preku edhe këtë sektor.
Të gjendur në të tilla kushte shumë prej artizanëve në Pazarin karakteristik ulën qepenat .Të tjerë subjekte i vendosën drynin .
Mes krizës ekonomike , papunësisë dhe pandemisë, dritat e ndezura dhe zbukurimet nuk mund të ngrohin shpirtrat e fikur . Nuk mund të paguajë listën e borxheve për ushqim, nuk mund të veshi të pambathurin, nuk mund të shërojë të sëmurin, nuk mund të strehojë të pastrehun, nuk mund të shkollojë të pamundurin për tu shkolluar .
Në vend të dekorimeve , fjalëve të bukura, në vend të një urimi , pushtetarët duhet ti kthejnë sytë nga populli i thjeshtë të cilit çdo ditë e më shumë i kushton jetesa . Çdo ditë edhe më shumë rropatet fizikisht dhe shpirtërisht për të mbajtur veten gjallë. Në këtë vend ku luftohet për mbijetesë dritat shumëngjyrëshe dhe dekoret festive nuk e mbulojnë dot zinë e një kombi që lutet për errësirën të kalojë dhe të lind sërish dielli.
Në ftohtësinë e netëve të dhjetorit shpirtrat e fikur enden në qytetin bosh me ndjesinë se e nesërmja ndoshta do të sjellë ditë më të mira.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here