520 mijë persona janë larguar prej 2007-ës, 285 mijë të rinj duan të emigrojnë

0
153

Janë mbi 50 mijë, shqiptarët e larguar nga vendi çdo vit, që prej vitit 2007. Këtë gjë e thotë raporti më i fundit për emigrimin i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Sipas këtij raporti, mesatarja vjetore e flukseve migratore nga Shqipëria drejt vendeve të OECD, gjatë periudhës 2007-2017 fiksohet në 52 mijë njerëz.

Kjo do të thotë se, që prej vitit 2007, nga Shqipëria janë larguar rreth 520 mijë njerëz, ose më saktë, 18.1% e popullsisë shqiptare sot. Pra, sipas këtyre të dhënave, thuajse 1 në 5 shqiptarë është larguar nga vendi i tij gjatë dekadës së fundit. Kjo shifër, pra 52 mijë njerëz në vit, është më e larta në rajon e ndër më të lartat në Europë.

Emigrantët nga Shqipëria dekadën e fundit janë më të shumtë në numër se boshnjakët, vend i dalë nga lufta, serbët, popullsi bindshëm më e madhe se e jona, si dhe shumë vende të tjera me popullsi disa herë më të madhe.

Madje, shqiptarët e larguar nga vendi i tyre janë më të shumë në numër edhe se afganët e larguar nga vendi i tyre që prej 2007-ës, apo qytetarët e Bangladeshit. Trendi i largimit vijon edhe sot, paçka se me hapa lehtë më të ngadaltë se mesatarja e kësaj dekade të fundit.

Janë rreth 300 mijë të rinjtë shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e Europës Juglindore.

Sipas këtij raporti, 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Pak më shumë se gjysma e tyre, do të donte të largohej nga Shqipëria për më shumë se 20 vite, thuhet në studimin i cili është kryer në formën e një ankete. Nga ana tjetër, 1 në 3 të rinj shprehet se nuk ka aspak ndërmend që të emigrojë nga vendi. Rreth 76% e atyre që duan të largohen, ndërkohë, japin si arsye kryesore atë ekonomike, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Europës Juglindore.

Me një potencial emigrimi në rreth 285 mijë të rinj, Shqipëria është e dyta në rajon, vetëm pas Rumanisë, që ka një popullsi bindshëm më të lartë. Të dhënat duket të jenë alarmante në këtë drejtim. Sa i përket zgjedhjes kryesore të të rinjve shqiptarë për të emigruar, në vend të parë qëndron Gjermania me 26%, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 18% dhe më pas Italia, me 16%.Me një ekonomi vjetore në rreth 13 miliardë  euro, rezulton se, dëmi i drejtpërdrejtë si pasojë e emigracionit neto në vendin tonë ngjitet deri në 120 milionë euro në vit. Pra, largimi i “trurit” i heq prodhimit kombëtar një pjesë të konsiderueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here