Shqipëria zgjohet e mbuluar nga bora/ Rrugë të bllokuara e vështirësi në qarkullim, si paraqitet situata në akset kombëtare

Reshjet e dëborës që nisën ditën e djeshme, kanë bërë që mëngjesin e sotëm vendi të zgjohet i mbuluar nga bora. Temperaturat, të cilat shënojën nën zero dhe reshjet e dëborës gjatë gjithë natës, përveç bukurisë dhe pamjeve piktoreske, kanë sjellë dhe një situatë kritike në vend, pasi shumë akse kombëtare janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim.

Në Krujë, Fushë Krujë, dhe në Malësinë e Krujës janë bllokuar 3000 banorë, pasi dëbora në rrugë ka shkuar 50 cm dhe akset rrugore të saj janë të pakalueshëm edhe për shkak të ngricës. Problemet më të mëdha paraqiten në zonat malore ku akset rrugore kanë prezencë ngrice duke e bërë të pamundur kalimin edhe me zinxhirë. Aksi Fushë Krujë-Krujë kalohet vetëm me zinxhirë dhe ka prezence ngrice në disa vende.

Në qarkun e Elbasanit dëbora ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit duke shkaktuar probleme me lëvizjen e mjeteve dhe ngrica në rrugë. Si pasojë e stuhisë së dëborës 11 fshatra janë të bllokuara, ndërsa janë pa energji elektrike disa zona të Elbasanit dhe Librazhdit.

Në qarkun e Lezhës janë ndërprerë reshjet e dëborës që prej orës 1 pas mesnate, por situata mbetet mjaft problematike. Temperaturat nën zero kanë sjellë ngrica e për pasojë vështirësi lëvizje në shumë akse rrugore nacionale, qytete e fshatra. Në aksin Lezhë-Milot, rruga vijon e bllokuar, ndërsa policia po devijon automjetet drejt rrugës së vjetër. Asnjë borëpastruese nuk shihet në rrugë duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.

Aksi rrugor Peshkopi – Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë, pjesa më e vështirë që bllokohet herë pas here është nga Pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit pasi fryn erë e fortë dhe mbush me borë trupin e rrugës. Aksi Peshkopi-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë deri në Kalanë e Dodës, ndërsa nga Kalaja e Dodës më tej është e bllokuar për shkak të erës së fortë.

Në Dibrës, trashësia e borës në qytet shkon mbi 40 cm ndërsa në zona të thella kalon mbi 60-70 cm. Mësohet se se të bllokuar nga reshjet e borës janë aksi Ura e Çerenecit- Librazhd dhe Peshkopi – Qafë Draj – Kukës është i bllokuar. Të gjitha fshatrat dhe njësitë administrative të Dibrës dhe Bulqizës janë të bllokuara, ndërsa rrugët janë të pa kalueshme . Në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës , Sllovë, Selishtë , Ostren, Martanesh mungon energjia elektrike.

Edhe qyteti i Beratit ka pasur reshje dëborë gjatë natës së kaluar dhe si pasojë ka mungesë të energjisë elektrike në disa lagje si dhe disa fshatra.Sa i përket qarkullimit të automjeteve, bëhet lehtësisht pa probleme.

Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi me qarkullimin edhe në qytetin e Vlorës, ku në pjesën e Llogarasë, për shkak të terrenit të vështirë dhe pranisë së borës në rrugë, autoritetet kërkojnë që drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes në qarkullim. 

Por si do të jetë moti në orët në vijim?

Në një lidhje telefonike për ‘Neës24’ meteorologia Lajda Porja pohoi se i gjithë territori i vendit është në vlera negative të temperaturave për shkak të të ftohtit siberian, ku më shumë problematike paraqitet situata në pjesën verilindore, ku termometri shënon -12 deri në -13 gradë celsius.

“Reshjet e dëborës përfshinë gjithë territorin shqiptar. Problematike situata paraqitet në zonat lindore, verilindja, ku trashësia e dëborës është deri në 70 cm. Parashikohet që këto reshje dëbore të ketë sërish në këto zona. Do kemi spostim të reshjeve të borës vetëm në zonat veriore dhe juglindore. Pritet që kryefjala e kësaj fjale të jenë temperaturat termike. Temperaturat pritet që të kenë rënie. Vlora shënon -1 dhe Saranda 0 gradë. Në Tiranë temperaturat janë -5. Në zonat verilindore pritet që temperaturat të ulen më tej. Në disa zona termometri do të shënojë -15 gradë”, tha Porja.

Sipas saj, dita e nesërme, megjithëse do të sjellë diell, mëngjesi do të jetë me temperatura ekstremisht të ulëta. Kjo situatë do të jetë deri në datën 23 shkurt. “Problematike në zonat malore mbeten ngricat në akset rrugore. Nga dita e hënë deri nga mesi i javës do të jenë 24 orë në vlerat negative, kjo do të bëjë që të kemi ngrirje të akseve rrugore. Ky acar pritet të qëndrojë deri në fund të javës tjetër. Do të kemi më pas afrim drejt vlerave normale të dimrit. Tirana do të ketë vlera negative mëngjeseve”, shtoi ajo.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment