Bilanci i një viti pandemi/ Më shumë se 1900 viktima; 43 mjekë e infermierë dhe 25 efektivë ndërruan jetë

Prej një viti Shqipëria është në ethet e Covid-19. Virusi i cili u shfaq fillimisht në Kinë në fund të vitit 2019, u identifikua zyrtarisht në vendin tonë si sot një vit më parë.

Prej 12 muajsh qytetarët po përballen me një virus të rrrezikshëm, i cili ka marrë shumë jetë njerezish, por edhe me një normalitet të ri të vendosur në kuadër të pandemisë.

Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, bilanci i një vit pandemi në vendin tonë është:

Raste pozitive          113,580

Humbje jete                1,956

Raste të shëruara       75,887

Shpesh në raporte të ndryshme është nënvizuar se bilanci i koronavirusit në vendin tonë ka qenë i lartë të raport me popullsinë. Gjithashtu nuk kanë munguar shqetësimet për mungesën e kapaciteve spitalore.

Në vijën e parë të rrezikut, nuk është i ulët as numri i bluzave të bardha që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Edhe pse MSH nuk ka dhënë një numër të saktë të tyre, sipas një përllogaritje të thjeshtë janë 43 mjekë dhe infermierë që kanë ndërruar jetë.

Nuk iu shmangen infektimit me Covid-19 as efektivët e policisë. 25 punonjës policie ndërruan jetë.

Në një vit pandemi, nuk munguan as rastet kur pacientë që ishin duke u trajtuar në spital i dhanë fund jetës. Rasti i parë është regjistruar më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koça nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i “Shefqet Ndroqit” në gjendje të rënduar psikologjike dhe për pasojë ndërroi jetë.

Rasti i dytë, ishte në 2 shtator. Hasan Mira, 65 vjeç, i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt po tek “Shefqet Ndroqi”, vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty.

Ndërkohë, rasti i tretë ishte ai i Preng Gjonajt, më 1 nëntor. 52-vjeçari, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Tiranë, i dha fund jetës duke u hedhur nga ambientet e Sanatoriumit.  

Ndërkohë prej javës së dytë të janarit në Shqipëri ka nisur procesi i vaksinimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin. Deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës më shumë se 20 mijë persona. Procesi nisi me bluzat e bardha dhe tani po kryhet paralelisht edhe me të moshuarit. Me ardhjen e vaksinave nga AstraZenca, për të cilat është thënë se do të mbërrojnë në mars, do të nisë vaksinimi i mësuesëve.

Muaji shkurt dhe java e parë e marsit, regjistruan një bilanc të rënduar me koronavirus. Vendi ynë iu nënshtrua masave të shumta, nga karantina, në kufizime oraresh dhe mbajtjen e maskës me detyrim.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment