“Ruani vajzat nga Likja”, Meta i përgjigjet Ramës: Unë s’prek me dorë gazetaret, larg duart nga votat

Presidenti Ilir Meta deklaroi se ka një plan për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e 25 Prillit, të cilin do e publikojë në ditët në vijim duke i bërë thirrje partive politike të mbajnë larg duart nga “vullneti i qytetarëve”. Meta iu përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha ditën e djeshme se “vajzat dhe gratë duhen ruajtur nga Likja dhe Saliu”, duke ironizuar gjestin e pak ditëve më parë kur shefi i qeverisë shtyu një gazetare pa maskë.

Këto deklarata, kreu i Shtetit i bëri gjatë një komunikimi me gazetarët, ku prezantoi planin për mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilin e quajti pasuri kombëtare që do i trashëgohet brezave të ardhshëm.

“Vjosa është pasuri kombëtare për kontinentin tonë. Jemi ende në kohë për të parandaluar çdo dëmtim tjetër që do ishte I pariparueshëm dhe dëmtonte një pasuri që do e trashëgojnë gjeneratat që do vijnë. Se çfarë përmban plani për mbrojtjen e votës do njiheni në ditët në vijim.

Çdo shqiptar është dakord me presidentin që nuk duhet të vihet më dorë në votën e tyre. Prandaj jemi në këtë situate të rëndë duke udhëhequr në nivel botërore për shkak se niveli i lirisë së zgjedhjes është katandisur në këtë situatë. Është një kusht nga BE për negociatat. Të gjithë t’i mbajnë larg duart nga votat e shqiptarëve. Të bëjnë një fushatë europiane. Është gjë pozitive që përveç forcave politike, kemi mundësinë të shprehemi për kandidatët.

Në kuvend duhet njerëz me integritet. Nuk është ankuar ndonjë gazetare për prekje me dorë nga Ilir Meta. Ju e dini sa i durueshëm ka qenë me të gjitha ju. Ju e dini kush bën presione ndaj gazetarëve të cilët i bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar nga zyrat e propagandës. Mund të kemi vend për përmirësime, por kur rekomandime të tilla vijnë nga një person që dihet si është sjellë është qesharake dhe përpjekje për hequr vëmendjen nga plani për të vënë dorë mbi zgjedhjet. Kjo histori ka marrë fund në Shqipëri. Nuk ka sondazh të blerë dhe plan djallëzor që të deformojë vullnetin e shqiptarëve”, tha Meta.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment