Allkomemaj, fshati ku banorët jetojnë si në mesjetë

Prej 30 vitesh  fshati Allkomemaj  në bashkinë e Memaliaj vuan mungesën e infrastrukturës rrugore . 16 km rrugë e cila është krejtësisht e amortizuar izolon banorët e këtij fshati sidomos gjatë stinës së dimrìt kur moti është i keq. Për shkak të saj banorët u duhet të ecin me këmbë me kilometra ndërsa shqetësuese është në rast të emergjencave shëndetësore . Pavarësisht apeleve të shumta nga ana e banorëve për rehabilitimin e rrugës prej kohësh nuk është marrë asnjë masë nga instancat. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve elektorale , bashkia e Memaliaj ka ndërhyrë në një segment rrugor prej 20 metrash çka sipas banorëve të zonës po bëhet vetëm për të justifikuar votat.

Nga ana tjetër në një status në facebook të kandidatit për deputet të PS Laert Duraj pak ditë më parë  u propagandua  takimi me banorët e zonës Allkomemaj dhe u premtuan investime në rrugë dhe shërbime të tjera, por banorët pohojnë se nuk e njohin këtë të fundit dhe as nuk e kanë takuar.

Ajo që mbetet e pazbardhur është fakti se pse bashkia Memaliaj zgjedh  të ndërhyjë në këtë fshat vetëm një muaj para zgjedhjeve dhe sa është fondi i kësaj të fundit i vendosur në dispozicion për këtë ndërhyrje. Kjo është forma që rilindja ka zgjedhur të bëjë fushatë në Qarkun e Gjirokastrës për të thithur sa më shumë vota për zgjedhjet e 25 prillit.


SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment