Qindra qytetarë presin Bashën në Kalimash: Ndryshimi i parë do të jetë heqja e traut, Rama i futi shkopinj në rrota Kosovës

Kukësi ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të PD-së Lulzim Basha për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit. Ai është pritur nga qindra qytetarë entuziast te tuneli i Kalimashit me flamuj të PD-së, kolonë me makina dhe brohoritjet “Rama ik”.

Basha premtoi se trau në rrugën e Kombit do të jetë edhe tre javë, pasi do të hiqet me ardhjen e tij në pushtet.  Sipas Bashës, Rama për 8 vite nuk bëri asgjë, por i futi shkopinj nën rrota Kosovës dhe shkatërroi ekonominë.

“Shikojeni edhe tre javë atë tra, më 25 prill Shqipëria voton ndryshimin, Kukësi voton ndryshimin dhe ndryshimi i parë për çdo shqiptare e çdo shqiptar nga Konispoli në Podujevë do të jetë heqja e traut te Rruga e Kombit. Nuk ka kaluar shumë kohë nga ai moment që na i mbushi zemrat me një besim si qytetarë të një kombi që ndërtoi tunelin më të gjatë në Ballkan dhe lidhi Shqipërinë me Kosovën. Tetë vite me radhë ai që për dy jave e gjysmë do të largohet me votën më masivë të shqiptarëve që duan ndryshim, nuk bëri asgjë, por i futi shkopinj në rrota Kosovës dhe shkatërroi ekonominë tonë, uli në nivelin më të ulët marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis dy vendeve.

Ne ndërtuam rrugën, ne ndërtuam tunelin, ai vendosi traun. Sot po ja u përsëris jo vetëm çdo qytetari të Kukësit por çdo shqiptari, se vota për PD-në dhe numrin 9 është votë për heqjen e traut dhe çdo pengese mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kostot financiare do të zhduken, çdo pengesë do të zhduket dhe ne do të funksionojmë si një trup i vetëm. Do të bëjmë që djemtë dhe vajzat e Kukësit të punojnë me dinjitet. Faleminderit për pritjen dhe si gjithmonë mbani maskat dhe distancën .” u shpreh Basha para qytetarëve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment