Pas arrestimit, qeveria zëvendëson kontrollorët protestues, turqit menaxhojnë trafikun ajror shqiptar

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur paraditen e së enjtes se rinis puna në aeroportin e Rinasit sot për fluturimet esenciale, humanitare, emergjente, shtetërore, diplomatike dhe ushtarake, ndërsa nga e premtja rikthehet normaliteti, pas protestës 48-orëshe të disa prej kontrollorëve të trafikut ajror.

Për pasojë, fluturimet në aeroportin e Rinasit “ngrinë” pasi kontrollorët shqiptarë e konsideruan veten të paaftë për të punuar për shkak të stresit të akumuluar sipas tyre pas uljes afatgjatë të pagave.

Ndërkohë, tre nga kontrollorët që janë cilësuar si organizatorë të krizës, janë arrestuar dhe të shtunën dalin para gjykatës.

Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh një ditë më parë dhe autorizoi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun për zëvendësimin e kontrollorëve në Rinas dhe zgjidhjen e situatës.

Sot, u ul avioni i parë në Rinas, teksa mbërriti edhe me një ngarkesë me 100 mijë doza të tjera vaksinash.

Procedura u krye përmes kontrollorëve të rinj që kanë zëvendësuar punonjësit protestues.

Mësohet se pas disa negociatash me vende të BE-së dhe Ballkanit, AlbControl ka marrë përgjigje pozitive nga Turqia për zhbllokimin e situatës së krijuar në aeroportin e Rinasit.

Turqia ka sjellë përmes kufirit tokësor nga një vend fqinj në Shqipëri kontrollorët e saj, për të menaxhuar hapësirën ajrore shqiptare. Ata pritet të menaxhojnë hapësirën shqiptare deri në zgjidhjen e situatës.

 Lidhur me këtë ngjarje, qeveria shqiptare e ka trajtuar grevën e kontrollorëve si një komplot të organizuar nga opozita. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e shpalli atë “grusht shteti” ndërsa kërkoi dhe gjeti kontrollorë ajrorë nga Turqia me qëllim që të thyejë vullnetin e protestuesve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment