Basha me gratë matjane: Do paguheni njësoj si burrat, familja është gur themeli për PD-në

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte në Burrel, ku zhvilloi një takim me gratë matjane. Shqetësimet që këto të fundit ngritën ishte mungesa e shërbimit shëndetësor, papunësia dhe largimi i të rinjve.

“Mati është i vogël por hallet dhe problemet i ka shumë të mëdha. Unë ku ta zë e ku ta kap, siç thotë populli. Kape tek shëndetësia, shëndetësia njeriu duhet të mbajë radhë, të sëmuret të hënën ose të enjten kur mund të vij mjeku, ta llogaris mirë sëmundjen që ditën e enjte do vij filan mjek sepse këtu mungojnë mjekët e fushave të ndryshme.

Kape tek arsimi, sinqerisht unë kam 35 vite që punoj por të jesh në këtë moshë me një karrierë të tillë, domethënë të gjithë më njohin dhe sot nesër përsëri të diskutohet emri do të ikësh nga puna do të shkosh, do të lëvizësh dhe fakti që këtu po ngushtohen klasat. Pse? Sepse njerëzit kanë marrë arratinë nga sytë këmbët, nuk kanë asnjë lloj të ardhmeje. Edhe fëmijët po largohen, po largohen familje të tëra nga Mati”, u shpreh njëra prej tyre.

Basha iu tregoi atyre planin e Partisë Demokratike, ndërsa shtoi se “’Grua e fortë, Shqipëri e fortë’ nuk është slogan, por një parim i vështirë që duhet jetësuar”. Basha akuzoi qeverinë aktuale se për 8 vite ka përkeqësuar pozitën e gruas në shoqëri.

Ai vuri theksin te papunësia dhe te pagat jo të barabarta të grave krahësuar me të burrave. Kryedemokrati tha se për PD-në familja është gur themeli i një shoqërie, duke listuar edhe disa nga angazhimet e tij.

“Punësimi, pagat e mira janë qëllimi kryesorë i programit tonë, por nuk mjafton, ne do të subvencionojmë nga buxheti i shtetit 5 mijë çifte të reja çdo vit, pra, 20 mijë çifte në krye të 4 viteve do të kenë mundësinë të blejnë një banesë dhe ne do të subvencionojmë 100% interesat e kredisë, një skemë që e aplikojnë edhe vende perëndimore. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë, atëherë Shqipëria do të vazhdojë të tkurret, ca nga emigracioni, e ca nga fakti që po bie në pikiatë lindshmëria. Shqiptarët po bëjnë më pak fëmijë se sa mbahet mend në 40 apo 50 vjet”, tha ndër të tjera kreu i demokratëve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment