Takimi i Ramës me ministrin turk, mediat greke: Rivendosën trashëgiminë osmane në Gjirokastër

Mediat greke i kanë dhënë vëmendje takimit të kryeministrit Edi Rama me Ministrin turk të Kulturës Mehmet Nuri Ersoy në Gjirokastër.

Mediat greke e kanë vlerësuar restaurimin e shtëpisë nga TIKA si një rivendosje të trashëgimisë osmane në qytetin jugor.

Pjesë nga artikulli në Protothema:

Në kulmin e periudhës parazgjedhore në Shqipëri, kryeministri Edi Rama nënshkroi një marrëveshje me Ministrin turk të Kulturës Mehmet Nuri Ersoy për të rivendosur trashëgiminë Osmane në qytetin e Gjirokastrës .

Rama, i cili nuk i fsheh ndjenjat pro-turke dhe marrëdhëniet speciale me presidentin turk Erdogan, e mirëpriti delegacionin turk në një ndërtesë tradicionale të qytetit, të restauruar së fundmi nga e ashtuquajtura Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) e cila operon projekte të ngjashme në Vendet e Ballkanit që në të kaluarën ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Qyteti i vjetër i Gjirokastrës është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore dhe renditet si: “Një shembull i rrallë i një qyteti osman të ruajtur mirë, i ndërtuar nga pronarë të mëdhenj toke”.

Në një deklaratë, Rama tha se “marrëveshjet janë nënshkruar për të forcuar dhe promovuar bashkëpunimin e mëtejshëm në fushat e turizmit, artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftimin e trafikimit në vendet e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjen e të drejtave të autorëve.”

Qyteti është një qendër historike e pakicës Greke me një prani të fortë të mërgimtarëve. Deri më sot, nuk ka pasur zell të ngjashëm nga ana e qeverisë shqiptare për të shpëtuar dhe nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore të lidhur me praninë e fortë Ortodokse Greke në rajon.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment