“Presim zgjedhje të lira”, ambasadori gjerman: Politikanët të heqin dorë retorika agresive, efekti i drejtësisë së re u vonua

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf tregon për DW pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ai u bën thirrje zgjedhësve shqiptarë të votojnë kurse partive të pengojnë manipulimet.

“Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe me këtë përvojë ajo çfarë duhet të presë çdo shqiptare dhe shqiptar nuk mund të jetë asgjë më pak se zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t’i bëj thirrje çdo qytetareje dhe qytetari, të shfrytëzojë të drejtën e votës dhe të shkojë të votojë”, tha Zingraf.

Ky i fundit tha që politikanët të heqin dorë nga retorika agresive dhe gjuha e urrejtje. Ambasadori shtoi se “do ishte një mundësi e mirë për partitë dhe kandidatët, të përqendronin debatet në programet e tyre përkatëse dhe në reformat që ata duan të propozojnë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve”.  

Sipas tij, sfida më e madhe e institucioneve dhe administratës zgjedhore është identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe numërimi, duke theksuar se është një model i ri.

Sa i përket “dekriminalizimit të parlamentit të ri”,  Zingraf tha se është herët për një bilanc përfundimtar, duke theksuar se shqiptarët meritojnë figura me integritet.

Ai tha se institucionet e reja të drejtësisë kanë nisur të japin efektet e tyre edhe pse me vonesë, duke nënvizuar se procesi i reformave duhet të vazhdojë.

 “Të gjitha institucionet që drejtësia reformoi ose krijoi rishtas janë aktive që prej vitit të kaluar dhe po shpalosin efektin e tyre. Kjo ndodhi më vonë sesa mendohej, por reformat e qenësishme hasin pothuajse gjithmonë në kundërshti dhe vështirësi“, shtoi Zingraf. Ky i fundit nuk dha një datë për mbajtjen e konferencës së parë të pranimit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment