Meta ashpërson tonet ndaj Ramës, thirrje ndërkombëtarëve dhe Ardi Veliut: Reagoni në kohë, lufta do të jetë e frikshme

Tre ditë para zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta ashpërsoi tonet ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai tha ky i fundit rri “si lepur” para kriminelëve që i marrin leje e licensa nën kërcënimin e armëve.

“Ti mor rrugac, vagabond, ti para Ilir Metës sillesh si lepur, dhe para kriminelëve dhe horrave që të vejnë pistoletën dhe të marrin licenca. Nuk i ndalon dot të shkojnë atje ku janë nisur”, u shpreh Meta.

Sipas këtij të fundit, SPAK-u i ka provat, por nuk e lë qeveria që të nisë hetimet. I bindur se nuk do të lejojë të ndryshohet rezultati i zgjedhjeve, Kreu i Shtetit bëri një thirrje edhe për ndërkombëtarët. Ai ka kërkuar  nga këta të fundit të reagojnë në kohë.

“I bëj thirrje ndërkombëtarëve të jenë më parimorë dhe të reagojnë në kohë. Nëse s’do kishin pranuar e toleruar shkeljen e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit situata do kishte qenë shumë më e mirë prej kohësh.

Nëse atë ditë kur vagabondi i bashkisë Tiranë porositi të ushtrohet dhunë në prezencë të presidentit në një subjekt politik s’do kishte ndodhur plagosja në Kavajë. Nëse do kishin reaguar pas plagosjes në Kavajë s’do kishte ndodhur as vrasja dje”, tha Meta.

Ky i fundit i bëri thirrje gjithashtu drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut që ta marrë situatën seriozisht, ndërsa paralajmëroi se lufta kundër korrupsionit do të jetë e ashpër.

“I bëj thirje Ardi Veliut ta marrë seriozisht këtë situatë, s’të mbron dot Rama ty se Rama nuk mbron dot veten, do përpiqet të shpëtojë me rrethana lehtësuese, do thotë çfaj kam unë që isha i çmendur do thotë vetë më zgjodhët.

Lufta kundër korrupsionit do jetë e pamëshirshme, kundër krimit do jetë e frikshme do shkojë aty ku nuk i ka vajtur mendja njeriut. Sot e nesër do i çoj policisë letra për Durrësin, Vlorën, Elbasanin, i porosis kandidatët e opozitës të jenë shumë të kujdesshëm nga provokimet. E ftoj Ramën të reflektojë sa nuk është vonë”, tha Presidenti.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ky i fundit nxorri videon për të dëshmuar blerjen e votave dhe sqaroi takimin e tij me “subjekte të OFL-së”.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment