Gjini: Mos i besoni demagogët dhe profetët e rremë, le të vijë Lulzim Basha kryeministër!

Poeti dhe prozatori i njohur Balil Gjini ka mbështetur publikisht kreun e opozitës Lulzim Basha si alternativa e duhur për të qenë në krye të shtetit. Gjini u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë nesër për PD e mos ti besojnë demagogët dhe profetët e rremë.

Statusi si mëposhtë:

Nga Bilal Gjini

Të nderuar miq!

Bindjet e mia janë të djathta. Kam qenë kandidat për deputet i PD në zgjedhjet e para pluraliste. Por, as unë, as ju, s’jemi vegla dhe instrumenta të partive. Dy herë nuk e kam votuar PD-në: në vitin 1996, kur, krejt në delir dhe çmenduri, vidhte e mbushte kutitë e votimit pa qenë fare nevoja. Hera e dytë ka qenë viti 2013 kur halabakët e Ilir Metës ishin turrur mbi buxhetin e shtetit si një tufë minjsh nëpër hambarët e një anije që po mbytej. Këto të këqija i kam denoncuar përmes shkrimeve tek gazeta Panorama, apo Mapo.

E di që këto tingëllojnë disi patetike e të panevojshme. Siç di edhe tjetrën: s’duhet ndikuar mbi mendimin e tjetrit. Dhe këtë s’e kam bërë ndonjëherë. Mbase për mua e shokët e mi do të ishte më mirë të merreshin me letërsi, nëse do të kishim një sistem të stabilizuar. Por mbi krye kemi një regjim i cili s’ka bërë asgjë në tetë vjet qeverisje. Dhe tashmë Edi Rama, me veshjet dhe gjuhën e profetit Moisi, na flet për Sinain e tij, një mal suksesi që vezullon aty, tek Maja e të ardhmes. Mos i besoni demagogët dhe profetët e rremë. Mos e votoni partinë socialiste dhe Ramën! Le të vijë Lulzim Basha si kryeministër. Qysh të nesërmen e ngjitjes së tij në pushtet unë do të jem një nga kundërshtarët e tij.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment