BE deklaratë për zgjedhjet në Shqipëri: Akuzat për shit-blerjen e votave të hetohen, duhet dialog politik

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së,  Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Shqipëri.

Ata evidentojnë se përgjithësisht zgjedhjet ishin të mirëogranizuara, ndërsa vënë theksin te disa problematika. “Vëzhguesit raportojnë shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”, thuhet në deklaratën e Borrell dhe Várhelyi .

Keta të fundit apelojnë që numërimi të procedohet me shpejtësi dhe në përputhje me ligjin. BE bën thirrje që palët të pranojnë më mënyrë demokratike rezultatin e dalë nga kutitë e votimit.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në numërim të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura. Të gjitha forcat politike tani duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet më tej.

Borrell dhe Várhelyi nënvizojnë se akuzat për shit-blerjen e votave duhet të hetohen siç duhet. Gjithashtu theksojnë se procesi do të monitorohet nga ndërkombëtarët deri në çertifikimin e rezultatit.

Zyrtarët e lartë të BE-së janë ndalur edhe te rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ata kërkojnë nga aktorët e politikës shqiptare që të bëjnë dialog, duke vënë theksin te sundimi i ligjit.

“Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, thuhet në deklaratë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment