Denoncimi i Abazit: Vetëm në 1 njësi administrative rezultojnë 28 vota të prishura qëllimisht

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, i cili në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit garoi si kandidat i pavarur në Tiranë, ka bërë një tjetër denoncim ku pretendon se i kanë manipuluar votat.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abazi shkruan se vetëm në Berzhitë aty ku ai pretendon se duhet të kishte 31 vota, ka marrë vetëm 3 vota të rregulla, pasi pjesa tjetër janë shpallur ose të pavlefshme, ose nuk janë numëruar.

Sipas tij, kjo dëshmon se  ka patur një deformim të votës dhe shkelje të rënda ligjore, teksa bën thirrje që krimi elektoral të ndëshkohet.

Postimi i plotë:

Nga 3 vota, potecialisht 31 vota në Bërzhitë – Bashkia Tiranë
Mbrëmë morëm nga KQZ-ja një pjesë të konsiderueshme të pamjeve filmike nga Qendrat e Numërimit për Qarkun Tiranë, ku kam kandiduar si i pavarur. Sot, një ekip i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë përzgjodhi në mënyrë rastësore për monitorim të pamjeve filmike Njësinë Administrative Bërzhitë në Bashkinë e Tiranës, me tetë ( 8 ) Qendra Votimi. Numërimi i kutive të votimit të këtyre 8 qendrave është bërë në shkollën “1 Maji”, KZAZ nr. 30 në Tiranë. Gjetjet e ekipit janë domethënëse, si në vijim:
Votat e raportuara nga KQZ-ja për 8 Qendrat e Votimit të Njësisë Administrative Bërzhitë për kandidaturën time janë në total 3.
Në ndërkohë, nga monitorimi i ekpit të aktivistëve i pamjeve filmike për 8 Qendrat e Votimit del që:
• 2 vota të tjera për kandidatin e pavarur kanë qenë të vlefshme, të sakta dhe nuk janë marrë parasysh e nuk janë pasqyruar në procesverbal.
• 21 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PS.
• 4 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PD.
• 1 votë ka tre shenja X: një për kandidatin e pavarur, një për PS dhe një për PD.
*** Kjo do të thotë se nga 3 vota, potecialisht në Bërzhitë numri i votave tona mund të ketë qenë 31.
Në vijim do të gjeni tabelën përmbledhëse të të dhënave të monitorimit, si dhe fotografitë për të gjithë fletët e votimit të sipërpërmendura. Këto fotografi nuk janë publikuar më herët dhe i kemi marrë nga pamjet filmike të KQZ-së.
Është tejet e rëndësishme që e vërteta të zbulohet për atë që ka ndodhur. Krimi elektoral duhet ndëshkuar! Njësia administrative Bërzhitë, e përzgjedhur prej nesh në mënyrë rastësore, dëshmon se ka patur një deformim të votës dhe shkelje të rënda ligjore.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment