Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor, ashpërsohen gjobat për tejkalim shpejtësie dhe përdorim të alkoolit

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave. Forcimi i masave do të bëhet për rastet, ku ka tejkalim të shpejtësisë, mosmbajtje të rripit të sigurimit, përdorimit apo alkoolit.

Për drejtuesit e automjeteve do të vendoset gjobë nga 1,000-3,000 lekë nëse konstatohet se pasagjerët nuk e kanë vendosur rripin e sigurimit. Gjobë 5,000-15,000 lekë për përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të makinës dhe tre muaj pezullim patente, nëse brenda vitit një drejtues është konstatuar tre herë nga policia, duke përdorur celularin.

Ndërsa për tejkalimin e shpejtësisë do të vendoset gjobë nga 1,000-3,000 lekë për tejkalim shpejtësie, jo më shumë se 10 km/orë nga shpejtësia e lejuar dhe nga 2,000-4,000 lekë për tejkalim shpejtësie deri në 30 km/orë nga ajo e lejuar. Ndërkohë për tejkalim shpejtësie 30-50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe 20-40 km/orë në zonat e banuara do të vendoset gjobë 5,000-15,000 lekë, tre muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh.

Gjobë 10,000-20,000 lekë, 3-6 muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh, për tejkalim me më shumë se 50 km/orë të shpejtësisë së lejuar jashtë qendrave të banuara dhe mbi 40 km/orë në zonat e banuara. Kur tejkalimi i shpejtësisë është përsëritur gjatë një periudhe dyvjeçare atëherë pezullohet patenta për 8-14 muaj nga 4-12 muaj që ishte më herët.

Sa i përket drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, ndryshimet në Kodin Rrugor parashikojnë gjobë 5,000-15,000 lekë, nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli deri në 0.3 gram/litër. Gjobë 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente nga 3-6 muaj nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.3-0.5 gram/litër.

Nëse konstatohet nivel alkooli 0.5-0.8 gram/litër, drejtuesi do të gjobitet me 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite. Ndërsa për nivel alkooli 0.8-1.5 gram/litër gjobë 20,000-40,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite. Gjoba shtohet deri në dy të tretat, në rast se drejtuesit konstatohen nën e efektin e alkoolit në orarin 22:00-07:00.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment