PD depoziton dosjet ankimore në KAS: Qindra prova që dëshmojnë vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri

Në ditën e fundit të ankimimeve, Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve dosjet me shkeljet që ajo pretendon se janë konsumuar gjatë procesit zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat, pasi dorëzoi dosjen në KQZ, drejtuesja e Zyrës Juridike në PD, Marinela Ziu tha se procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e kryer nga Rama-Doshi-Rakipi.

Ajo tha se janë depozituar qindra prova dhe fakte që dëshmojnë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Materialet e depozituara nga PD janë “prova dhe fakte”, që përfshijnë përdorimin e të dhënave personale, të administratës shtetërore, krimit, etj, për të marrë sa më shumë vota.

“Sot, ne po dorëzojmë në KQZ qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri. Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, tek vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhisteve te partisë-shtet.

Nga angazhimi i shtetit dhe administrates, te tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota. Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar te perdorimi i bandave për të blerë vota dhe kërcënuar qytetarët nën mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë.

Nga ndryshimet antikushtetuese te Kodit Zgjedhor, te ndryshimet me urdhër politik te fletes se votimit që sollën zhvleftesimin e 83 mijë votave baraz me afersisht 8 deputetë”, tha Ziu. 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment