Pastrimi i parave dhe krimi zgjedhor, Çela nga Fieri: Shumë shpejt do kemi rezultate

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ishte në Fier, ku ka zhvilluar një takim me prokurorët e rrethit. Një ndër pikat që ata diskutan ishin krimet zgjedhore.

Kështu bëri me dije Çela në një prononcim për gazetarët. I pyetur për numrin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet, Çela tha që ka qenë i konsiderueshëm, duke shtuar se shumë shpejt do të bëhen publike rezultatet e hetimeve.

“Ka pasur numër të konsiderueshëm të çështjeve për hetime për krime zgjedhore. Shumë shpejt do kemi rezultate, të cilat do ti tregohen publikut”, tha ai.

Kryeprokurori ka kërkuar që të tregohet kujdes me hetimin e këtyre çështjeve, duke vënë theksin te transprenca.

“Janë disa takime që po bëhen në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që të tregohet kujdes maksimal nga prokurorët për hetimin e plotë e të shpejtë, si dhe për të treguar transparencë”, u shpreh Çela.

Ky i fundit bëri me dije se gjatë takimit është folur edhe për pastrimin e parave. Çela nënvizoi rëndësinë e rezultateve sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, ndërsa evidentoi se kjo është dhe një kërkesë e ndërkombëtarëve.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal, për rritje të efikasitetit për evazionin dhe ligjin anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, deklaroi ai.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment