Turizmi pa mbështetje nga qeveria, Shqipëria në rrezik nga konkurrenca me fqinjët

Sezoni turistik për këtë vit pritet të jetë më i mirë në krahasim me vitin e shkuar. Megjithse situata në përgjithësi është më optimiste, vendi ynë rrezikohet nga konkurrenca rajonale. Disa vende fqinje si përshembull Greqia shpresojnë që të hapin vendin pa kushte për të pritur turistë nga gjithë bota. Nëse kjo ndodh atëherë Shqipërisë do t’i largohen turistët elitarë shqipfolës, që mund të drejtohen në vendet e tjera.

“Hapja e kufirit me Greqinë do të thotë që pjesa e rëndësishme e turizmit elitar do të kalojë aty dhe do të përdorë Greqinë si trampolinë, gjë që do të ketë ndikim shumë të madh. Flasim për një Shqipëri që mesatarisht siguron, sipas një studimi të fundit, gati 390 USD për turist, ndërkohë që Kosova ka dyfishin e të ardhurave për turist. Ka një turist me potencial pasi ka diasporën që paguan dhe shpenzon. 2.5 herë më shumë për turist. Për të thënë të vërtetën, Greqia është në një moment krize të jashtëzakonshme.

Ka pasur vetëm 23 për qind të numrit të turistëve të vitit 2019, vitin e shkuar, që do të thotë se i mungojnë 26 milionë turistë një vendi me 11 milionë banorë. Është një luftë shumë e madhe për mbijetesë. Greqia ka përgatitur një plan për të dhënë një fond për turizmin gati 300 mln euro, që do të jenë grante për të nisur sezonin turistik. Jemi në një situatë të pabarabartë, ku rajoni po mendon gjerësisht” , është shprehur Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit për “Monitor”.

Sektori i turizmit pa mbështetje nga qeveria

Sektori i turizmit në vendin tonë vazhdon të mos ketë mbështetje nga qeveria, duke qenë shumë mbrapa në krahasim me konkurrentët rajonalë. Ndërkohë që Greqia ka përgatitur një fond për turizmin, në Shqipëri nuk flitet ende për diçka të tillë. Po ashtu Maqedonia e Mali i Zi vazhdojnë të subvencionojnë sektorin e turizmit dhe punonjësit e tij.

Zak Topuzi është shprehur në një intervistë për “Monitor” se qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë ndihmë për turizmin, përveç 4 milionë USD që u dhanë në fazën e parë të pandemisë.

“Edhe pse pati ulje me 30 për qind, për shkak të pamundësisë për ta paguar u vendosën gjoba, çka bëri që taksa të shkonte në të njëjtin nivel. Rajoni ka bërë lëvizje të jashtëzakonshme. Ka ulur TVSH në gjithë shërbimet e hotelerisë, por edhe në bare dhe restorante. Maqedonia e Veriut e ka bërë 7 për qind; Mali i Zi, 7 për qind; Kosova 8 për qind.

Shqipëria ka mbetur në treguesit e saj të vjetër. Pra TVSH për bare dhe restorante është 20 për qind. Turqia e çoi në 1 për qind TVSH e hoteleve për të shpëtuar nga falimenti këtë industri të rëndësishme. Jemi në konkurrencë të hapur me rajonin që për të thënë të vërtetën, ka mundur të japë një ndihmë të madhe për këtë industri.

Shqipëria, thjesht vetëm se ka mbajtur hapur baret dhe restorantet dhe nuk ka pasur mbyllje të kufijve, me përjashtim të disa momenteve të caktuara, ia ka dalë që të mundësojë mbijetesë në kushte minimale të një pjese të vogël të industrisë”, është shprehur Topuzi

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment