Akademiku Fuga : Ka 5 masa të menjëhershme për të demokratizuar partinë

Nga Artan Fuga

Ka 5 masa të menjëhershme për të demokratizuar partinë:

  1. Kryetari mund të zgjidhet sipas parimit një militant një votë, por këshilli kombëtar mund ta shkarkojë atë me 2 të 3 e votave të tij Nëse kjo nuk ndodh, kryetari pasi merr një herë në katër vite mandatin nuk pyet më për asnjeri sepse militantët që e kanë zgjedhur ikin në shtëpi, pas banakut të dyqaneve, në punët e tyre dhe nuk kanë ngenë të merren me bëmat e kryetarit. Partitë i shkatërroi parimi një militant një votë i zbatuar alla shqiptarçe, pra alla stalinistçe!
  2. E drejta e pakicës që për vendimet e rëndësishme politike të partisë (përcaktimi i kandidatëve për deputetë, aleancat politike, qendrimet ndaj traktateve ndërkombëtare, votimi i ligjeve organike, etj) këshilli kombëtar t’i duhet një shumicë e cilësuar prej 2 të 3-tave. Kështu pakica dëgjohet. Partia në opozitë nuk mund të sillet në parti sikurse sillet ndaj saj mazhoranca në Kuvend, për çka ajo qahet.
  3. E drejta e referendumit brenda partisë për të gjitha ato vendime për të cilat Këshilli kombëtar nuk i voton dot sepse pakica atje bëhet bllokuese. Nuk mund të kërkosh referendume në shtet kur nuk i njeh brenda partisë!
  4. Deputeti është i lirë në vendimet dhe qendrimet e tij dhe nuk mund të kërcënohet me përjashtim nëse nuk mban qendrimet që i teken kryetarit të partisë. Deputeti nuk mund të dali kundër vetëm ndaj vendimeve të marra me referendum në parti ose me 2 të 3-tat nga Këshilli kombëtar.
  5. E drejta e fraksionit që duhet kuptuar si duhet dhe jo sikur gjithkushi krijon partinë e tij në rrjetet sociale. E drejta e fraksionit është për të krijuar një rrymë brenda partisë që zhvillon brenda saj një qendrim të nuancuar politik brenda pranimit të programit të partisë. Fraksioni në parti është shëndeti i partisë, ndryshe partia flak si në përallat e Ibsenit të gjithë “armiqtë” e brendshëm dhe të jashtëm të saj. E gëzon popullin me sihariqe zbulimesh grupesh armiqësore. E drejta e fraksionit realizohet kur mblidhen një numur firmash mes militantësh, ose kur 20 perqind e këshillit kombëtar e pranon krijimin e një fraksioni si iniciativë e një grupi brenda partisë. Fraksioni ka të drejtë të përfaqësohet në kryesinë e partisë dhe të ketë deputetët e vetë në bazë të shkallës së përfaqësimit të tij në parti.
SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment