Basha flet pas takimit me ministrin gjerman: I kërkova të denoncojë masakrën zgjedhore, para se të jetë vonë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është takuar paraditen e kësaj të premteje me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth.

Në një prononcim për mediat, Basha bëri me dije se në fokus të diskutimit kanë qenë zgjedhjet e 25 prillit, ku e ka informuar mbi atë që ai e cilëson si masakër zgjedhore. Kryedemokrati shtoi më tej se i ka kërkuar ministrit gjerman të denoncojë masakrën e 25 prillit para se të jetë vonë.

“Pata kënaqësinë të pres ministrin e shteti Michael Roth të cilin e informova mbi zhvillimet dramatike dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit. Shqipëria humbi një mundësi të artë për shqiptarët, për demokracinë por dhe për të ecur përpara me procesin europian të integrimit të vendit. Ky është një proces i bazuar tek arritjet, tek meritat dhe për fat të keq në këto zhvillimet siç e keni parë dhe nga konkluzionet e KE apo rezoluta e Bundestagut Shqipëria ka mbetur në vend numëro për shkak të mosarritjeve me kushtet e vendosura të cilat janë rënduar edhe më shumë me zhvillimet e 25 prillit. Ne kemi bërë gjithçka në dorën tonë, opozita ka bërë gjithçka duke nisur me reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Qeveria i shkeli të dyja këto. Ajo që i kam kërkuar ministrit Roth është të flasin dhe denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit, para se të jetë vonë për demokracinë dhe Shqipërinë, përpara se Shqipëria të vazhdojë të jetë e mbushur me kriminelë në parlament. Gjermania ka qenë dhe është mbështetëse e madhe e Shqipërisë në çdo front”, deklaroi Basha.

Ndërsa, ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth, tha se për zgjedhjet i beson raportit të dalë nga OSBE/ OHDIR, duke e cilësuar këtë të fundit si një institucion të paanshëm. Ai theksoi më tej se e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe se kjo rrugë nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita.

Roth tha se shpreson se më 22 qershor Komisionin Europian të jap dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Dëshiroj t’iu falenderoj për miqësinë zoti Basha, një vizitë në Shqipëri do të nënkuptonte jo vetëm një takim me qeverinë por edhe ato të opozitës e përfaqësuesit e shoqërisë civile. Natyrisht që të gjitha kritikat që do të adresohen në këtë drejtim duhet të qartësoheshin e kjo duhet bërë nëpërmjet institucioneve. Ne i besojmë raportimeve të OHDIR-it, që është i pavarur. Jam dakord me Bashën që e ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe askund tjetër. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme kjo nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe Parlamenti dhe opozita.

Shpresoj që nga debatet e së shkuarës të gjendet një qasje më e drejtë mes palëve. Unë jam në politikën aktive prej 23 vitesh, prej tetë vite në qeveri, kam qenë dhe në opozitë dhe qeveri, këto elemente janë të rëndësishëm në një shtet. Ne nuk jemi armiq, por kundërshtarë. Shërbimi zotin Basha, ka qenë për mua tejet e rëndësishëm për këtë sërish faleminderit. KE ka vlerësuar në mënyrë të kujdesshme nëse janë plotësuar kushtet e Shqipërisë për hapjen e negociatave dhe nisjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Shpresojmë shumë që më 22 qershor, KE të mbërrijë në çeljen e negociatave dhe konferencën e parë të anëtarësimin, falenderojmë presidencën portugeze në këtë proces. Ju të gjithë e dini që ky është hap i rëndësishëm drejt BE, do të jetë rrugë e gjatë, Gjermania do e mbështesë Shqipërinë në këtë drejtim, çelja e negociatave s’do të thotë që janë plotësuar të gjitha kushtet, por që Shqipëria ka një hapje të sigurt për anëtarësim”, tha Roth.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment