Integrimi dhe negociatat, Rama për “Bild”: I kemi plotësuar kushtet, BE ka shkelur premtimet

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, akuzon krerët e shteteve të Bashkimit Evropian për bllokim të pranimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, sipas tij, pë arsye populizmi. Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Bild”, kryeministri shqiptar thekson mes të tjerash se “BE ka thyer premtimin dhe po çon në përçarje Ballkanin me cinizëm politik”.

Më tej, ai thekson se “Ndihem si në librin ‘Duke pritur Godonë’”, duke shtuar se “vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh”, ndërsa i drejtohet vendeve anëtare të BE me tri pyetje që lidhen me bllokimin e procesit të integrimit për dy vendet, dhe që sipas tij, kërkojnë përgjigje.


Prononcimi i Ramës për “Bild”:

Ishte një ambicie e dashur për shumë kohë nga kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, për t’iu mundësuar qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe. Më lejoni të bëj të qartë diçka: si kryeministër i Shqipërisë, unë e di plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian sot, as Maqedonia e Veriut, apo pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor. Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë, në mënyrë që të bëhemi anëtarë. Por, dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave u vendos nga vetë Këshilli i BE në vitin 2018. Por, përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja e pyetjes sonë “Pse?”

Kur Komisioni Evropian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatohen disa reforma, përpara se të fillonin negociatat, ne e bëmë. Disa prej tyre, të tilla si Reforma në Drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend, që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Por, ne bëmë progres dhe Komisioni Evropian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste.

Mirëpo, para se të fillonte zyrtarisht procesi i negociatave, disa vende anëtare të BE dolën kundër, duke vendosur që negociatat me Shqipërinë të shtyhen. Kur erdhi puna për të justifikuar këtë vendim, ata nuk thanë që ne kemi një problem, por në vend të kësaj, u tha se ne kishim disa probleme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë më shumë se disa probleme. Pikërisht për këtë arsye ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit me BE, në mënyrë që të kemi në dorë mjetet për të zgjidhur këto probleme.

Të jemi të qartë: ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian nesër apo pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është që të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE, në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit. Kur krerët e shteteve dhe qeverive evropiane morën përsipër të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata morën rrugën e “detyrës”. Meqenëse tani nuk kanë arritur ta mbajnë këtë premtim, për të disatën herë, tani duhet të përballen me të vërtetën dhe t’iu përgjigjen disa pyetjeve kritike.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment