Basha për ftesën e Ramës: Me një dorë godet demokratët dhe tjetrën bën sikur ma shtrin mua

0
227

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët e Njësisë nr.6, ku u ndal sërish te ftesa për bashkëpunim e kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se Rama nga njëra anë godet demokratët dhe nga ana tjetër kërkon të bashkëpunojë me të. Basha e cilësoi jo të sinqertë ftesën e Ramës.

“Me një dorë godasin demokratët, godasin këdo që ka marrë pjesë në fushatë dhe dorën tjetër bën sikur ma shtrin mua. Kjo s’është thjesht pafytyrësi, kjo është kriminale.

Dy qëndrime të prera dhe të pandryshueshme, të cilat për mua janë ABC-ja e rrugës që duhet të ndjekim për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo harbutëri e përbindshme, nga ky rregjim dhe i pari i saj“, tha kryedemokrati.

Mendje turbulluar, kështu i ka quajtur Basha të gjithë ata që nuk e konsiderojnë 25 prillin “masakër zgjedhore”, sikurse ai. Kryedemokrati vazhdon ta shprehë qëndrimin se PD ka dalë më e fortë nga zgjedhjet.

“Por disavantazhi qëndron në faktin se dorëzimi përballë atyre që 25 Prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore por një fitore të Edi Ramës, mund të mbjellë nja tjetër farë përçarje në gjirin e një familje që ka dalë e bashkuar nga kjo betejë.

Nxitimi i ndokujt, i ndonjë mendje të turbulluar nuk mund të përbëjë arsye për t’i rënë me shqelm sakrificës prej secilit prej jush në këtë sallë dhe të mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here