Gjykata cakton arrest me burg për efektivin e ‘Shqiponjave’, pretendon se kokainën e përdorte për vete

Gjykata e Sarandës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e forcave “Shqiponja” në Sarandë, Lavdosh Metaj, pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike

38 Vjeçari u arrestua tre ditë më parë, teksa ishte në hetim prej disa muajsh. Ai u konstatua se shpërndante lëndë narkotike në mënyrë sistematike në lokalet e natës në Sarandë.

Gjatë kontrollit personal të ushtruar, Metajt iu gjetën lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza.

Sipas burimeve, pasi gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, Metaj nuk ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, duke pretenduar se lënda narkotike e gjetur në shtëpinë e tij ishte për përdorim vetiak.

Avokati mbrojtës Gjergji Imeraj kërkoi në seancën gjyqësore masën e sigurisë arrest shtepie ose garanci pasurore. Këto kërkesa nuk u pranuan nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë.

Avokati mbrojtës, në prononcimin pas përfundimit të seancës gjyqësore u shpreh se vendimi i marrë do të apelohet.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment