I biri drejtonte grupin e drogës në Greqi, sekuestrohen 3 llogari bankare të nënës së tij në Shqipëri me vlerë 100 mijë euro

Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive për 3 llogari bankare me vlerë 100 mijë euro, në emër të Lumturi Çervenaku, djali i së cilës, Rando Hodollari, rezulton i dënuar në Greqi për trafik droge dhe drejtues i grupit kriminal.

Ky sekuestrim është kryer në kuadër të hetimeve nisur për pastrim parash dhe sipas gjykatës, ka të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga Rando Hodollari në shtetin grek.

Hodollari, u arrestua më 22 janar të 2018-ës, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohet se kishin krijuar grupin kriminal prej fillimit të vitit 2017. Po ashtu u tha se kapoja i grupit është Rando Hodollari, ndërsa zëvendësi i tij ishte Spartak Zene. Në atë kohë mediat greke raportuan se Hodollari, i cilësuar si kreu i grupit, ka rezultuar i shpallur në kërkim në Greqi, i dënuar me 10 vjet burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment