Rama: Pronarët e lokaleve në bregdet tërheqin për hunde shefa komisariatesh, për rastin e Sarandës duheshin shkarkime

Me gjuhë të ashpër Edi Rama e drejtoi gishtin nga policia e Shtetit në lidhje me plagosjet dhe të shtënat në lokale në zonat bregdetare. Rama u shpreh se pronarët e këtyre lokaleve që sfidojnë ligjin dhe shtetin i kanë kthyer shefat e komisariateve në tutorë të veprimtarisë së tyre dhe i tërheqin për hunde.

Rama u ndal tek rasti i Sarandës, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur një turist dhe një biznesmen duke theksuar se nuk duheshin kaluar me vërejtje por me përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të zinxhirit drejtues.

“Duke afektuar policinë vendore që shenjtërinë e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre., Policia e Shtetit është botërisht e shikuar dhe e respektuar prej disa vitesh si një ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë dhe cënimet etike dhe lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël sidomos te policia rrugore janë të patolerueshme. Nxis publikisht SHÇBA të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne e kemi rritur edhe në harmoni me pritshmëritë e qytetarëve rolin ndëshkues të policit rrugor ndaj shkeljeve në rrugë.

Është e papranueshme që kjo të shërbejë si mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për ryshfet. Është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor, qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor. Strukturat e policisë së shtetit dhe SHÇBA konstatojnë që rastet e denoncimet të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur. Sot kur ne jemi në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë e shtetit përmes individësh të padenjë të shkojë kundra detyrimit të të gjithëve bashkë për të sajdisur pushuesit sipas traditës shqiptare dhe standardeve të një vendi që pretendon të bëhet kampioni turizmit në Ballkan. Këtu dua të nënvizoj një fakt që në vetvete është sfidues për ligjin, shtetin dhe policinë e shtetit.

Kush janë këta pronarë lokalesh në zonat bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë për abuzim që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal. Jua them unë kush janë këta. Këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformë që tërheqin për hunde policë dhe shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë dhe jo me masa ordinere. Përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar., Një sfidë ndaj ligjit dhe qytetarit të mirë.  Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë policinë e shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në konflikt në 1 të natës“, tha Rama.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment