Kushi takon 40 maturantët më të mirë të Maturës Shtetërore 2021

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka pritur sot në një takim të veçantë 40 maturantët me rezultatet më të larta në vend të provimeve të Maturës Shtetërore 2021.

Ministrja Kushi i ka falënderuar maturantët për rezultatet e shkëlqyera në provimet e maturës, përkushtimin dhe punën që kanë bërë gjatë këtij viti të vështirë shkollor.

Ajo theksoi se falë punës së nxënësve dhe mësuesve të tyre në të gjitha shkollat e vendit, u arrit të mbyllej me sukses ky vit shkollor. Ministrja tha se për maturantët u tregua kujdes që të bënin mësim në klasë, pasi ky vit ka qenë një vit vendimtar për të ardhmen e tyre.

“Shumë prej jush do të shkojnë në universitete këtu në Shqipëri, por disa të tjerë do të shkojnë në universitete të tjera prestigjioze në Evropë apo Amerikë. Atyre që do të studiojnë jashtë dua t’u uroj shumë suksese dhe rrugëtim të mbarë, por do t’iu lutesha që kur të mbarojnë të vijnë përsëri në Shqipëri. Natyrisht është herët për ta marrë këtë vendim” ka dhënë mesazhin e saj ministrja.

Për ata që kanë vendosur të rrinë në Shqipëri, ministrja Kushi ka përcjellë mesazhin e rëndësishëm se po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme me universitetet në vend, për ta rritur cilësinë në arsimin e lartë.

Ajo përmendi se vitet e fundit është ndërmarrë një reformë e madhe në arsimin e lartë, por akoma ka shumë punë për të bërë. Një nga mekanizmat që po përdoret për të rritur cilësinë e arsimit të lartë është bashkëpunimi dhe partneriteti i ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane.

“Konkretisht, ne po punojmë për të hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, që diplomat tuaja të kenë të njëjtën vlerë si diplomat e bashkëmoshatarëve tuaj në vendet e tjera të Evropës. 

Kjo është sfida jonë më e madhe, pra që të kemi universitete prestigjioze, të kemi diploma që kanë vlerë. Për studentët tanë nuk është nevoja të shkojnë jashtë Shqipërisë, kur të njëjtën diplomë mund ta marrin edhe këtu në Shqipëri, madje me kosto më të ulët. Së shpejti, MASR do të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Stambollit (ITÜ), dhe shumë shpejt do të ketë një filial në Shqipëri për programe që lidhen me Informatikën dhe Inxhinierinë”, u shpreh ajo.

Ministrja Kushi theksoi se “në institucione të ndryshme ka shumë të rinj e të reja me rezultate të shkëlqyera që kanë filluar punë dhe po japin një kontribut shumë të rëndësishëm në institucione. Programi Kombëtar i Praktikave të Punës është një mundësi që u jepet të rinjve të sapo diplomuar për tre muaj praktikë në një institucion, organizatë apo biznes, dhe me pas atyre me performancën më të mirë u lidhet një kontratë 1-vjeçare pune”.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment