Të paktën 80 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë shpallur të humbur si pasojë e përmbytjeve më të mëdha në dekada në Gjermani. Reshjet që kanë kapur rekordin në Evropën Perëndimore, kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati i tyre.
Belgjika gjithashtu ka raportuar të paktën 11 jetë të humbura nga moti ekstrem, ngjarje që sipas liderëve politikë ka ardhur si pasojë e ndryshimeve klimatike. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka premtuar mbështetje të plotë për familjet e prekura.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit. Rreth 15,000 policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar me kërkimin dhe shpëtimin e qytetarëve.
Burimi: BBC