Shuhet aktori sarandiot i humorit

Është ndarë nga jeta këtë të hënë aktori i humorit të estradës së Sarandës, Haki Spaho me afër 40 vjet karrierë në trupën e saj.

Lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit e ka dhën Shoqëria Saranda, përmes një postimi në Facebook. ndër të tjera në postim bëhet me dije se aktori ka humbur jetën për shkak të ishemisë celebrale.

Spaho  një prej ikonave të humorit sarandiot, njihej për mimikën e veçantë, artikulimin ngacmues dhe lojën krejt të natyrshme.

Krijues i qindrave roleve, me një galeri e pasur personazhesh ndër vite, Haki Spaho ishte një talent i lindur, pa nevojën e një shkolle teatrore, pasi ishte vetë një shkollë aktrimi.

Kësisoj, ai erdhi nga trupat amatore, më saktë nga Parku Automobilistik ne Sarandë dhe  të niste një karrierë si profesionist në Estradë, duke luajtur krah atyre me diplomë në aktrim, pa asnjë diferencë në cilësi aktoreske. Mungesa vitet e fundit e shfaqjeve të Estradës së Sarandës, ishte njëherësh dhe një mungesë e shijimit të lojës së Haki Spahos dhe shakave e batutave prej tij. Ai doli në pension para katër vjetësh, ndërkohë që më parë bëri një kalim nga estrada në Teatrin e Kukullave.

Ai bënte një jetë të thjeshtë qytetare, i apasionuar dhe pas peshkimit, duke përcjellë në publik rrezatimin e një njeriu me sens artistik edhe në sferën e marrëdhënieve shoqërore. Saranda dhe jo vetëm do ta kujtojnë përherë me respekt aktorin e humorit, Haki Spaho

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment