Raporti i DASH, PD: Konfirmoi se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar!

Partia Demokratike ka reaguar për raportin e fundit të Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili ngriti si shqetësim nivelin e korrupsionit, PPP-të, titujt e pronësisë dhe klimën jo të favorshme për të bërë biznes në Shqipëri.

  • Deputetja e zgjedhur, Jorida Tabaku tha se DASH-i konfirmon se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në Europë.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Tabaku tha se vendi është në krizë, pasi qeveria nuk respekton ekonominë e tregut dhe konkurrencën, duke e bërë më pak tërheqës për investitorët e huaj. Ajo evidentoi edhe disa nga gjetjet e raportit.

“Shqiptarët, qeverisen nga një shtet i kapur nga një qeverisje okulte që nuk respekton ekonominë e tregut dhe as konkurrencën.  Specifikisht investitorët amerikanë!

Këtë realitet të hidhur e përshkon qartësisht dhe pa asnjë ekuivok raporti i fundit mbi Klimën e Investimeve të Departamentit të Shtetit.

Të gjithë investitorët dhe bizneset vendase apo të huaja e përjetojnë në vetën e parë korrupsionin, mungesën e sigurisë ligjore, rritjen e autokracisë së qeverisë dhe mungesën e klimës për të bërë biznes në Shqipëri.

Pengesa kryesore për ekonominë është qeveria: çka nis që me procedurat korruptive, mungesa e konkurrencës e deri tek mungesa totale e transparencës në procesin ligjor dhe atë fiskal”, deklaroi Tabaku.

Kjo e fundit tha se raportet e DASH-it që prej 2015 kanë ngritur problematika si:

–  Raportime të korrupsionit në prokurimet publike dhe në qeveri

–  Rritja e kontratave PPP që ka ulur mundësinë për konkurrencë, përfshirë edhe të investitorëve të huaj.

– Analizat e dobëta të kosto përfitimeve nga këto kontrata që shpesh janë kontrata dhe ligje preferenciale.

–  Rritja e informalitetit që është kthyer në rrezik dhe problem për bizneset vendase dhe investitorët e SHBA. Sipas raportit gati mbi 40% e sektorit ekonomik të vendit është në informalitet të plotë.

– Korrupsioni endemik që ka minuar dhe minon Sundimin e Ligjit dhe pengon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

– Të drejtat e pronësisë nuk janë plotësisht të garantueshme ndërkohë që procesi i kompensimit është i paplotë dhe inefiçent.

– Investitorët ankohen se ka konkurrencë të pa barabartë dhe monopole të krijuara me qëllim për të penguar tregun e lirë.

Ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë korrupsionin, deputetja e zgjedhur tha se Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi dhe ku një pakicë kontrollon paratë e shqiptarëve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment