VKM-ja për Teatrin/ Budina: Yuri Kim-it i bën përshtypje një deputet i zgjedhur nga populli dhe jo shkeljet e ligjit

0
180

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka zhvilluar pasditen e sotme një protestë simbolike në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

AMT e cilësoi këtë vendim si të paprecedentë, teksa regjisori dhe aktori Edmond Budina, në një deklaratë për mediat u shpreh se mafia e ka zaptuar vendin.

“Kjo është e paprecedentë, të shkelësh me këmbë një vendim të Gjykatës Kushtetuese vetëm një shtet mafioz, fashist mund ta bëjë këtë gjë. Këtu gjërat nuk janë të rastësishme”, tha ai.

Budina i bëri apel ambasadores amerikane Yuri Kim të reagojë për çështjen e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, diplomates amerikane i bën përshtypje një deputet i zgjedhur nga populli, duke iu referuar deklaratës për Berishën, dhe jo shkeljet e ligjit shqiptar. Budina kërkoi reagim dhe nga opozita, Presidenti e qytetërët. 

“Ambasadores i bën përshtypje një deputet i zgjedhur nga populli dhe nuk i bën përshtypje shkelja e ligjit shqiptar. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë për drejtësi kudo. Unë i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos heshtin në këtë shkelje të rëndë të demokracisë në Shqipëri. Të ngrihemi kundër kastës fashiste. I bëjmë thirrje opozitës të mos heshtë për këto probleme të mëdha. I bëj thirrje Presidentit të reagojë. Kam një thirrje të veçantë për anëtarët e Gjykatës të cilët morën vendim shumë të saktë: të nderuar gjyqtarë, ju që morët këtë vendim të drejtë a jeni akoma të bindur se ky shtet ju ka vënë priftërinj dhe ju rruan mjekrën?! Përpara nuk shkohet duke shkelur ligjet e vendit. Jemi këtu për të mbrojtur Kushtetutën”, tha Budina.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here