Aktivizohet një vatër në kufirin Përmet-Skrapar

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë me dije se situata e zjarrit në Dukat është përmirësuar dhe po vijon për mbajtjen nën kontroll të flakëve nga toka.

Ai e ka cilësuar të vështirë situata në fshatin Thirrë të Mirditës, ku zjarri ka përparuar duke u futur në zonë me dendësi pyjore. Ministri shton se forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugës së fshatit, duke theksuar se në varësi të situatës mund të parashikohet edhe ndërhyrje nga ajri.

Peleshi thotë se ndërhyrja për të shuar flakët mbetet e vështirë në fshatin Munellë-Domgjon të Mirditës dhe në Majën e Rrunës, Kukës.

Ai bën me dije se vatrat e zjarrit në në fshatin Klysyrë në luginën e Valbonës dhe  Gjorgos të Fierit janë nën kontroll. Rrezikshmëri, sipas ministrit, nuk paraqesin vatrat afër Kepit të Rodonit në Durrës.

Era ka ndërlikuar punën për të shuar zjarrin në Deshiran të Belshit, ndërsa një vatër e re është aktivizuar në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit, por që nuk është vlerësuar e rrezikshme.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment