Zjarret kapin në flagrancë emergjencat civile, flota për përballimin e situatës nuk është në funksion

Shqipëria po përjeton më shumë se një herë në vit fatkeqësi natyrore, ku dominojnë zjarret dhe përmbytjet, por Drejtoria e Emergjencave Civile, e cila është në proces organizimi për rreth tre vite, nuk po mundet t’i përgjigjet situatës.

Vendi është përfshirë nga zjarret nga Veriu në Jug, por mjetet në dispozicion të tilla si helikopterët, zjarrfikëset etj., nuk kanë qenë në nivelin që kërkon situata.

Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, tani këshilltar i Presidentit për këto çështje, tha se, nga aspekti ligjor i pajisjeve dhe burimeve njerëzore, emergjencat civile janë reformuar dhe tani funksionon Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si njësi nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Por sipas tij, drejtuesit nuk po tregojnë lartësinë që kërkon detyra dhe situata.

Ai mori si shembull zjarrin në malin e Thirrës në Bjeshkët që kufizojnë Kukësin më Mirditën, ku në vendngjarje nuk ka pasur asnjë përfaqësues të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia, teksa u gjet në vendngjarje Ministri i Brendshëm i Kosovës me 9 automjete për fikjen e zjarreve, 34 zjarrfikës dhe 100 trupa të ushtrisë.

Premçi tha se, ndërkohë e gjitha flota e 17 helikopterëve dhe zjarrfikëseve nuk është në gjendje pune. “Helikopterët u përdorën për shëtitje si taksi nga ministrat dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë dhe tashmë orët e punës kanë mbaruar për shumë prej tyre, të cilat tani, kur duhet, nuk mund të përdoren për qëllimin për të cilin janë blerë, Mbrojtjen Civile” -tha ai.

Gjithashtu Premçi tha se shumica e zjarrfikëseve nuk janë në gjendje pune, teksa mungon totalisht përgjegjësia morale dhe ligjore e ushtrimit të detyrës në drejtuesit kryesorë të emergjencave civile, pasi në të shumtën e rasteve nuk gjenden as në vendngjarje.

Shërbimi i Emergjencave Civile kaloi një proces të fortë ristrukturimi, pasi dobësitë e strukturës u panë gjatë tërmetit të madh të 26 nëntorit 2019, ku përveç mungesës së mjeteve mungoi pjesa formale e organizimit dhe orientimit për trupat që erdhën në ndihmë nga vendet tjera.

Me reformën e re territoriale të gjitha bashkitë duhet të kenë në funksion një drejtori të posaçme për Emergjencat Civile. Shumica e bashkive i kanë krijuar strukturat, po nuk kanë fonde dhe mjete për të përballuar menaxhimin e fatkeqësive.

Burimet në Bashkinë e Kukësit pohuan se kanë vetëm dy zjarrfikëse dhe mungesë totale fondesh për të përballuar frenimin e zjarreve në malet afër tunelit të Kalimashit.

Pa mbështetje nga qeveria bashkia e ka të pamundur të përballojë emergjencën tha Granit Gjana, shef i Kabinetit në Bashkinë e Kukësit. Ai tha se frenimi i zjarrit në afërsi të tunelit u arrit me ndihmën e trupave nga Kosova.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të rrezikut nga katastrofat natyrore në Europë, duke përmendur përmbytjet dhe tërmetet.

Sipas Indeksit Botëror të Rrezikut 2019, ekonomia e vendit është shumë rrezikuar nga këto fatkeqësi, ndërsa gjatë periudhës 1995–2015, një mesatare prej 30,000 njerëz u prekën çdo vit nga katastrofat natyrore, dhe më shumë se 95 për qind e bashkive shqiptare u prekën nga të paktën një katastrofë./Monitor

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment