MM për zjarret: Përkeqësohet gjendja në Thirrë, flakët dalin jashtë kontrollit në Dibër; situata nga veriu në jug

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion të përditësuar mbi situatën e zjarreve në vendin tonë. Ministria thotë se situata është përkeqësuar në fshatin Thirrë të Mirditës si pasojë e erës.

Gjithashtu shton se nesër do të ndërhyet nga ajri, pasi terreni i vështirë dhe era e bëjnë të pamundur shuarjen e zjarrit. Problemetike situata është dhe në fshatin Kaçni të Dibrës, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos. 

Përmes një njoftimi për mediat, ajo bën me dije se zjarri në malin e Tërbunit në Pukë është izoluar në masën 70% dhe se punohet për shuarjen e plotë të tij.

Gjithashtu bën me dije se flakët në fshatin Flet Fushë Arrëz vijojnë të jetë aktive dhe se po përparojnë drejt majës së Shtrazicës, në kufi me fshatin Dardhë.

Sipas MM, zjarri në fshatin Patalej të Lezhës nuk paraqet rrezik për banesat. Era ka favorizuar përhapjen e tij, duke vështirësuar shuarjen përmes ndërhyrjes nga toka. Mbeten aktive, por pa rrezik vatrat në Qafë Murrë të Dibrës dhe Gllavë të Memaliajt.

Zjarri vazhdon dhe në fshatin Katund i Vjetër në Mirditë, duke shkrumbuar 30 ha me bimësi e ndryshme. Aktive mbetet dhe vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive në Kukës, por pa rrezik për banesat. Aty po ndërhyn helikopteri çek, pasi forcat nga toka e kanë të pamundur për shkak të terrenit malor.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment