Shqipëria po bëhet gati të presë në total 30 mijë afganë

Vendi ynë po përgatitet të presë rreth 30 mijë afganë në total, të cilët do të evakuohen nga aeroporti i Kabulit, nga frika e kërcënimeve të talebanëve. 

Sipas gazetës Panorama, ky është numri për të cilin është rënë dakord, ndërsa pritet të negociohet edhe mënyra se si do të trajtohen ata në Shqipëri.

Të njëjta burime thanë se përfaqësues të lartë të UNHCR-së, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët do të takohen sot me përfaqësues të qeverisë shqiptare për të përcaktuar sasinë e ndihmës që do të japë organizata për afganët që do të qëndrojnë në Shqipëri dhe për të parë mundësitë e shtetit shqiptar për të përballuar këtë operacion humanitar.

Numri prej 30 mijë afganësh, ku në përbërje të tyre do të jenë përfaqësues të shoqërisë civile, përkthyes, shoqërues të trupave amerikane dhe aleate në Afganistan dhe familjarët e tyre do të mbërrijnë në Shqipëri në periudha të ndryshme, në varësi të përpunimit të dokumentacionit për pajisjen e tyre me viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ajo që dihet është fakti se ata do të qëndrojnë për një kohë jo të shkurtër në Shqipëri dhe se pjesa më e madhe e tyre do të vendoset në konviktet e Qytetit Studenti, i cili mund të  presë disa mijëra persona.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi për mediat spanjolle se gjatë kësaj jave pritet të mbërrijnë në vendin tonë rreth një mijë afganë.

Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit po mbajnë pezull nisjen për në Shqipëri të grupit të qytetarëve afganë. Për dy ditë me radhë fluturimi është shtyrë në kohë të ndryshme. Siç njofton dhe “Zëri i Amerikës”, parashikimi i fundit ishte se avioni do të nisej dje rreth orës 13 nga Kabuli, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur. Vijon të jetë kaotike situata në Afganistan, pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Në një njoftim të  mbrëmshëm nga Kabuli,  ambasada e SHBA ka deklaruar se nuk mund të sigurohet kalimi i sigurt i shtetasve afganë në aeroport.  Grupi i parë i afganëve që pritet të mbërrijnë në aeroportin e Rinasit do të ketë rreth 350 persona. Mediat amerikane shkruajnë se pritet të marrin viza për në SHBA rreth 90 mijë afganë. Deri më tani, për azil kanë  aplikuar 19,000 qytetarë afganë, një shifër që nuk përfshin anëtarët e familjes së  tyre.

Çdo aplikant, shkruajnë mediat amerikane, duhet të llogaritet me rreth katër persona shtesë. E thënë ndryshe, kjo do të thotë se afro 88,000 afganë mund të kenë nevojë të evakuohen nga vendi.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment