Gara në rrugë e të dehur në timon, në pranga 28 drejtues, pezullohen 198 patenta

0
166

Policia e Shtetit vijon në të gjitha rrugët e vendit kontrollet me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia bën me dije se gjatë fundjavës në vend u arrestuan 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 17 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë pezulluar 198 leje drejtimi, nga këto 127 për shpejtësi tej normave të lejuara, 69 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.

Sipas policisë, janë ndëshkuar me masë administrative 4987 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga publikimi në rrjete sociale, i një videoje ku shfaqeshin dy automjete tip “Nissan” dhe “Audi” që po bënin gara shpejtësie në Unazë të Madhe, në kushte të errësirës dhe të fluksit shumë të lartë të automjeteve, duke u bërë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të automjeteve, konkretisht drejtuesin e automjetit tip “Nissan”, shtetasin E. M. dhe drejtuesin e automjetit tip “Audi”, shtetasin M. Sh., të cilët i ka ndëshkuar administrativisht me nga 20.000 lekë të rinj secilin.

Gjithashtu, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese për përdorimin e alkoolit, në rrugën “Sadik Petrela”, kanë konstatuar një shtetas që po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A. H., 22 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë me prerje 5000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e testimit për alkool. 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa bëjnë me dije se në rrugët e vendit vijon monitorimi me dorne, radarë shpejtësie e alkooltestues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here