Kuvendi i ri nis punimet më 10 shtator

Kuvendi me deputetët e rinj të zgjedhur më 25 prill do të mblidhet më 10 shtator. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot datën, ku ka thirrur edhe mbledhjen e seancës, për legjislaturën e re.

Kuvendit aktual i mbaron afati më 9 shtator dhe një ditë më pas mblidhet i riu. Kështu, më 10 shtator në orën 10:00 nis mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë, në Kuvend do të rikthehen pas më shumë se dy vitesh nga djegia e mandateve në bllok, dy partitë e opozitës, PD dhe LSI.

DEKRETI

PËR THIRRJEN E MBLEDHJES SË KUVENDIT TË PORSAZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,

Dekretoj:

Neni 1

Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13207

Tiranë, më 01.09.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment