Rikthehet sot kuvendi

Këtë të premte siç ishte parashikuar do të zhvillohet seanca e parë plenare me deputetët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 25 prillit.

Sot do të rikthehen në Kuvend pas 30 muajsh mungesë dhe deputetët e zgjedhur të opozitës.

Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre.

Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, e parashikuar po ditën e sotme në orën 17:00 në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit, ku e përzgjedhura e socialistëve është Lindita Nikolla.

 Ndërkohë kujtojmë se në Kuvend në seancën e parë nuk do të jenë 140 deputetë pasi disa prej tyre kanë lënë mandatin e deputetit, mes të cilëve është dhe Tom Doshi që fitoi mandat në dy qarqe.

Deputetët e tjerë të zgjedhur që kanë dorëzuar mandatin pa nisur kuvendi Mark Marku, Najada Como, Gramoz Ruci dhe Lefter Koka, pasuesit e të cilëve do të mandatohen nga KQZ javën e ardhshme

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment