Reciprociteti për targat Kosovë-Serbi, nis zhbllokimi i pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak

0
193

Pas marrëveshjes së nënshkruar dy ditë më parë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare në Veri.

Në orët e para të mëngjesit në afërsi të dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak mediat në Kosovë raportojnë se ka nisur të lirohet njëra korsi e rrugës dhe në pikat kufitare ka nisur vendosja e KFOR-it.

Largimi i tyre pritet të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar prej dy javësh këto dy rrugë nacionale në shenjë proteste pas vendosjes së masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Kujtojmë se më 30 shtator Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel lidhur me reciprocitetin për targa.

Pikat e marrëveshjes: 

1. Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

2. Nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

3. Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe palët e Beogradit e Prishtinës, e do të kryesohet nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të bazuara në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do të paraqesë zbulimet e saj për një zgjidhje të përhershme te formati i nivelit të lartë të Dialogut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here