Tenderi i uniformave të policisë/ SPAK mbyll hetimet, çon për gjykim dosjen

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim 10 zyrtarë dhe ish-zyrtare të përfshirë në skandalin e tenderit për uniformat e policisë. Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Personat që janë çuar për gjykim janë: Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, A.M., Ani Omuri, Fatmir Demneri, Kleviz Hasani, Kreshnik Bejkaj, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhet se zyrtarët e ish-zyrtarët e përfshirë, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar subjektin që e fitoi tenderin. Kujtojmë që tenderi u fitua nga kompania “D&E” sh.p.k., e cila nuk plotësonte shumë kushte e dokumente të kërkuara.

Për hetimin e këtij tenderi me vlerë rreth 2.8 miliardë lekë kanë bashkëpunuar punonjës të Ministrisë së Brendshme, të cilët refuzuan të firmosnin.

Procedura e tenderit me objekt “Blerje dhe shpërndarja e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” për 4 vjet, me fond limit rreth 2.8 miliardë lekë pa TVSH u zhvillua më 11 qershor 2020.

Njoftimi i SPAK-ut:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve E.N.; F.Ç.; A.B.; A.M.; A.O.; F.D.; K.H.; K.B.; M.B.; G.M., akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qëndror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E.N., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit F.Ç.; A.B.; A.O.; K.H.; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave K.B.; F.D.; M.B. dhe G.M., të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment